Eksportuesit më të mëdhenj në vend parashikojnë se ekonomia nuk do të mund të ringrihet në 8 muajt e mbetur të vitit, për shkak të krizës nga pandemia globale. Kompania “Kurum” aktualisht po eksporton 30% të prodhimit krahasuar me kohë normale. Situata paraqitet e vështirë edhe për sektorin e çimentos, ku prodhimi dhe tregtimi është 50% më pak krahasuar me muajt mars-prill 2019. Edhe prodhuesin e këpucëve “Albaco Shoes”, rënia e eksporteve është e lartë. Eksportuesi më i madh i peshkut “Coral” pohon se aktualisht nuk ka asnjë porosi të re përpunimi.
Më shumë se një muaj nga bllokimi i ashpër që qeveria i bëri aktivitetit ekonomik dhe social të vendit, për shkak të COVID-19, perspektiva e kthimit në normalitet mbetet e zymtë. Kompanitë e mëdha eksportuese, disa prej të cilave janë në të njëjtën kohë dhe punëdhënësit kryesorë në Shqipëri, janë në një situatë të rënduar ekonomike, për shkak të të gjithë zinxhirit, ofertues, prodhues, magazinues dhe shitës që lidhet me aktivitetin e tyre.
Situata nuk duket premtuese, të paktën deri në fund të këtij viti ose dhe më tej, siç vëren Arif Shkalla, Drejtor i Financës për kompaninë e njohur “Kurum”. Por jo vetëm “Kurum” e sheh rimëkëmbjen ekonomike shumë të vështirë. “Bankers Petroleum”, “Antea Cement”, “Albaco Shoes”, “Donniana”, “Coral” dhe “Mare Adriatik” shprehen pesimiste për rimëkëmbjen e aktivitetit, sipas tyre pasojat do të ndihen 6 muaj deri në 1 vit pas përfundimit të gjendjes emergjente. E para për rëndësinë e eksporteve renditet kompania “Kurum”, me vlerë eksportesh 20.4 miliardë lekë. Kompania e naftës “Bankers Petroleum” është e dyta ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend. Eksportet për 2018 ishin në vlerën e 16 miliardë lekëve.
Rënia e lartë e eksporteve, te sektori i hekurit dhe çimentos
Kompania e prodhimit, tregtimit të çeliqeve të ndërtimit dhe hekurit “Kurum” tashmë mund të eksportojë vetëm 30% të asaj që ka eksportuar më parë, ndërsa inventari i lëndës së parë ka pësuar zhvlerësim dhe çmimi i produktit final ka shënuar rënie. Kostoja e prodhimit është rritur me bilanc negativ, kompania nuk shikon përmirësim të shpejtë të situatës edhe pas kalimit të emergjencës, të paktën për vitin 2020. Sipas të dhënave, eksportet e kompanisë për vitin 2018 kishin vlerën 20.4 miliardë lekë.
“Eksportet janë në nivelin më të ulët historik që prej 15 marsit, ku pati një rënie të menjëhershme për shkak bllokimit të rrugëve. Kërkesa e eksporteve pësoi rënie totale, aktualisht jemi në 30% të shitjeve që duhet të kishim në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke qenë se në Maqedoni dhe Kosovë, kriza u ndie më vonë, rënia e eksporteve ishte më e ulët për shkak të kërkesave nga këto vende.
Por nga 1 prilli, aktiviteti u bllokua, pasi nuk kishte më kërkesë. Rënia e kërkesës është pasojë e minimizimit të investimeve nga kriza. Në të tria vendet ku ne eksportojmë Maqedoni, Kosovë dhe Mali i Zi, në 3 javët e fundit kërkesa ka rënë në mënyrë drastike, çka ka ndikuar edhe te veprimtaria e kompanisë. Situata parashikohet e vështirë deri në fund të vitit, ndërsa për vitin 2021 pritet përmirësim”, shprehet Arif Shkalla.
Krejt i pasigurt shfaqet fati i industrisë së çimentos. “Antea Cement”, me 197 të punësuar dhe gjithashtu prodhues i konsiderueshëm i eksportit, reflekton atë klimë negative që gjithë kjo industri përjeton, nga India, prodhuesi dhe konsumuesi numër 2 në botë e deri në Itali, ku “Heidelberg Cement” ka mbyllur të paktën 3 fabrikat e saj në zemër të pandemisë të COVID-19, në Lombardi, Itali. Mbyllja e 1/3 të territorit amerikan, mbyllja e Anglisë, Francës, Spanjës dhe më gjerë ku kompanitë e çimentove realizojnë shumë volum pune, ka sjellë vështirësi praktike dhe reale të funksionimit të sektorit.
Përfaqësues të kompanisë “Antea Cement” deklaruan se prodhimi dhe tregtimi për muajin mars dhe prill ka qenë 50% më pak se në një periudhë normale të vitit. Kompania e ka të vështirë të parashikojë se sa mund të rezistojë aktiviteti në këto kushte, pasi reaksioni është zinxhir dhe në varësi të aktivitetit të ndërtimit të tregut të brendshëm dhe të jashtëm. “Mund të ndodhë që të jemi përpara një situate që nëse do të jetë e nevojshme në një moment të caktuar, do të ruajmë rezervat dhe do të ndalim prodhimin, por kjo do të jetë në varësi të ritmit të aktivitetit të ndërtimit”.
Sektori i naftës, i detyruar të ulë prodhimin
Nga ana tjetër, “Bankers Petroleum” me 563 të punësuar dhe volumin më të madh eksportues në vend vazhdon të mos gjejë blerës për naftën bruto që nxjerr nga nëntoka shqiptare. Kompania vazhdon të mbajë në nivele të ulëta historike prodhimin, për shkak të pamundësisë për ta eksportuar. Kompania pritet të rrisë nivelin e prodhimit vetëm nëse do të përmirësohet situata në Spanjë ku dhe eksportohet nafta.
Drejtori i Përgjithshëm i Bankers, Xingyun Sun, më herët në një intervistë për “Monitor” shpjegoi se terminali i eksportit në Vlorë, PIA, ka mundësuar depozita shtesë për naftën dhe aktualisht po përdorin të gjithë inventarët (depozitat) e disponueshëm në fushën e naftës Patos-Marinza. Por edhe këto përpjekje, nuk janë më të mjaftueshme për të lejuar kompaninë të vazhdojë prodhimin në nivelet maksimale.
Për këtë arsye Bankers nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të zvogëlojë vëllimet ditore të prodhimit në një përpjekje për të shmangur situatën, duke qenë se të gjitha depozitat janë plot. “Bankers po kërkon mundësi të tjera për tërheqjen e prodhimit në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, por për shkak të rritjes së inventarëve në të gjithë botën, gjetja e një blerësi është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur”, thotë z. Xingyun Sun.
Çmimi i naftës ka rënë në nivelet më të ulëta që nga 2002, pasi kërkesa për naftë është në kolaps, si pasojë e pandemisë. Çmimi i Brent ka rënë deri në 20 dollarë për fuçi, muajin e kaluar, ndërsa çmimet e naftës janë më shumë se përgjysmuar dhe kompanitë e naftës kanë ndërprerë ose ulur prodhimin. Sipas pohimeve të vetë kompanisë, rafineritë kanë vendosur të ulin prodhimin në të gjithë botën. Kudo nëpër botë po përpunohet më pak naftë. Kërkesa për transport është bllokuar nga linjat ajrore dhe ka më pak makina në rrugë.
Industria e këpucëve, një muaj pa punë
Vështirësi në aktivitetin eksportues po ndien edhe kompania më e madhe e këpucëve “Albaco Shoes”. Sipas të dhënave, kompania për vitin 2018 eksportoi këpucë me vlerë 2.2 miliardë lekë. Shpresa Koçiraj, përfaqësuese e kompanisë “Albaco Shoes”, shprehet se pandemia ka ulur eksportet në krahasim me një periudhë normaliteti. “Për sa i përket ndikimit të eksporteve nga dy deri në tre kamionë që eksportonim në ditë në kohë normale, aktualisht po eksportojmë një kamion në dy ditë.”
Kompania “Doniana” ka ndalur punën që më 12 mars për shkak të ndërprerjes së porosive nga Italia dhe mungesës të urdhrave. Administratorja e kompanisë, zonja Donika Mici, që me përhapjen e virusit në Itali deklaroi se situata po jep pasoja negative edhe te kompania, për shkak të mbylljes së panaireve të modës në Milano, dyqaneve, mungesës së tregut të blerjes. Zonja Mici parashikon se ky 6-mujor do të jetë katastrofik për industrinë, për shkak të bllokimit të prodhimit dhe shitjeve.
Peshku, në krizë për porosi përpunimi
Ndikimi negativ tek eksportet është ndier edhe te kompanitë e përpunimit të peshkut. Helidon Rruga, përfaqësuesi i kompanisë “Coral”, eksportuesi më i madh shprehet se aktualisht po punohet me 10% të kapacitetit përpunues, kryesisht me shitjen e peshkut të freskët në tregun vendas.
Pjesa tjetër e punës për këtë kompani është bllokuar, pasi 90% e aktivitetit përpunues ishte i orientuar në furnizimin e restoranteve dhe hoteleve për vendet si Italia, Spanja dhe Kroacia.
Z. Rruga shpjegon për “Monitor” se aktiviteti i kompanisë është i orientuar 50% për eksporte dhe pjesa tjetër për furnizimin e tregut të brendshëm me peshk të freskët. Por, për shkak të pandemisë, puna e kompanisë është e fokusuar te furnizimi i tregut të brendshëm me peshk, ndërsa përpunimi po punon vetëm për të krijuar inventar, pasi siç shprehet Helidon Rruga aktualisht porositë nga jashtë janë zero.
“Nuk kemi asnjë porosi të re. Deri para pandemisë kishim punë të garantuar deri në qershor. Këto porosi që kanë mbetur stok për shkak të anulimit të porosive nga pasiguria do të përpunohet për muajin prill për rezervë. Në krahasim me një periudhë normale, këta muaj ishin piku i prodhimit, pasi produktet e peshkut kanë konsumim të lartë në muajt e verës”, shprehet z. Rruga.
Kompania e përpunimit të peshkut “Coral” renditet ndër 100 eksportuesit më të mëdhenj në vend, me vlerë eksportesh 1,2 miliardë lekë për vitin 2018. Përfaqësuesi i saj thotë se mungesa e porosive dhe përpunimi i lëndës rezervë të blerë para pandemisë do të sjellë kosto negative te produkti final. Por z. Helidon Rruga thotë se pavarësisht vështirësive për prodhim dhe mungesës të tregut, nuk do të ketë mbyllje totale të punës.
Situata paraqitet e njëjtë edhe për kompaninë tjetër të përpunimit të peshkut “Mare Adriatik”. Përfaqësuesi i saj, Mark Babani, shpjegoi se kompania po punon vetëm me 30% të kapacitetit përpunues të açuges për furnizim të supermarketeve në Itali dhe Spanjë. “Puna na është prerë me thikë. Po punojmë veç me linjat e supermarketeve jashtë vendit, të cilat janë të pakta në numër, pasi puna më e madhe te ne është e orientuar me mall të ambalazhuar për restorantet. Për shembull te ‘Metro’ në Itali kemi pasur 5-6 formate dhe zinte 70% të punës sonë. Sot ‘Metro’ është mbyllur, pasi shërbente për furnizimin e restoranteve dhe jo për klientët në terren”, u shpreh më herët Babani.
Efektet negative për industrinë e përpunimit të peshkut parashikohen të jenë të shumta, sidomos në vitin 2021, pasi industria aktualisht nuk po furnizohet me lëndë të parë. “Ndikimi së pari është te zënia e peshkut pasi në këtë periudhë ne blejmë për të prodhuar për vitin 2021. Tani nuk dimë si të veprojmë, nuk jemi të orientuar mirë, për shkak të tkurrjes të tregut. Në Kroaci, peshkimi për muajin prill është ndalur, për të filluar në muajin maj dhe nuk dihet nëse barkat do të dalin për peshkim. Situata është në kolaps që nga furnitorët tanë deri te ne që jemi klientët të tyre. Kjo situatë do të ndikojë edhe për vitin 2021 dhe do të hasë në probleme te prodhimi dhe eksporti i açuges”, shpjegoi z. Babani.
Përpunuesit e peshkut për shkak të natyrës fason të procesit të punës janë të detyruar të furnizohen me sasi të madhe të lëndës të parë, pikërisht në këta muaj që konsiderohet piku i prodhimit, me qëllim rieksportimin e peshkut për periudhat e mëvonshme./MONITOR