Mjeku i njohur, Gëzim Xhepa, nga të rrallët që ka mbajtur qëndrime kritike për menaxhimin shëndetësor të pandemisë thotë se duhet të besojmë tek imuniteti natyral dhe të dalim sa më shpejt nga izolimi.
Profesori proteston ashpër ndaj idesë, se Shqipëria mund të kthehet në terren të testimit të skemave të mjekimit anti-covid të OBSH. Xhepa po ashtu nuk është në favor të testimit masiv të popullatë.
Kardiologë, pediatër, stomatologë, gjinekologë, otorino apo qoftë dhe imunologët dhe virologët që kanë qenë dikur studentë të mjekësisë dhe sot kanë veshur bluzën e bardhë, e njohin fare mirë korrektesën dhe përgatitjen e profesorit në që jep. “Kjo më duket si një marrëzi kolektive”, të thotë doktori teksa na tregon oborrin e zbrazët të infektivit.
“Nuk ikën gripi me karantinë, por me vaksinën natyrale që është imuniteti i njeriut”. Madje siç u shpreh mjeku kardiolog, nuk kanë qenë të pakta rastet, kur janë oksigjenuar dhe në kushtet e shtëpisë. Ia treguam këtë rastdoktor Xhepës, i cili na tha se dhe ai kishte dyshimet e tij dhe se ka kërkuar që me nisjen e pandemisë që të dalin pamjet e imazherisë së pacientëve të asaj kohe, por që ende s’është bërë e mundur.
“Në atë kohë, unë kërkova nga epidemiologët të shpjegonin pse pas vendosjes së karantinës kishim një kurbë në rënie dhe jo në ngritje, duke vënë në dyshim rastin 0 të njohur zyrtarisht si rast fillestar të epidemisë”, shprehet Xhepa.
Mjeku shprehet se në kushte kur, prej 3 – 4 javësh, kemi vetëm 5% pozitivitet coronavirusi në popullsi target, d.m.th. në popullsi të kontaktit të drejtpërdrejtë me të sëmurin, pra aty ku nuk penetrojnë dot masat shtrënguese të izolimit (pasi janë rreth familjar, qendër pune etj.), dëshmon se këto masa nuk sjellin më përfitim nga tejzgjatja e tyre, bile bëhen dëmtuese se pengojnë imunizimin e popullatës nga rënia në kontakt natyral me virusin nëpërmjet ekspozimit ndaj tij.
Po ashtu Xhepa insiston qw wshtw nevojë urgjente për kalimin gradual por të shpejtë nga izolimi në distancim, pasi është periudha më e përshtatshme për të realizuar kontakt gradual në popullatë me virusin.
“Për disa arsye që na ofron stina e verës, ku dritaret e shtëpive mbahen hapur, ku gjelbërimi në parqe është në kulmin e tij, e bashkë me të dhe oksigjenimi, ku rrezatimi ultraviolet është në doza të larta, ku temperatura e lartë mjedisore ul virulencën e virusit, ku të gjithë këta faktorë e ulin dozën infektive të virusit nën pragun e sëmundshmërisë, duke e transformuar virusin në një vaksinë natyrale. Në të kundërt, ne e zhvendosim rënien në kontakt me virusin me organizëm të paimunizuar, në vjeshtë, ku sipas specialistëve presim një riaktivizim të virulencës së tij, ku temperaturat mjedisore dhe lagështia favorizojnë virulencën e virusit, ku dyert dhe dritaret e mbyllura të shtëpive dhe qendrave të punës do shkaktojnë doza të larta infektimi viral, që nuk çon më në imunizim, por në sëmundje.”- shprehet Xhepa për gazetën Mapo.
Zoti Xhepa, Shqipëria ndodhet që prej të paktën 50 ditësh nën masa shtrënguese për shkak të pandemisë. Sot që flasim, në spitalet e ngritura për këtë qëllim shënohen vetëm 32 të shtruar, nga një total prej diçka më shumë se 770 të prekurish. A janë të justifikuara këto masa në momentet që po flasim, dhe në mungesë të tyre, do kishim shifrën e viktimave që deklaroi kryeministri (18 mijë)?
Numri i viktimave 18000 është çmendurisht i gabuar dhe ekstra-logjikisht i ekzagjeruar. Sikur të kishim një popullsi me ndjeshmërinë e Evropës Perëndimore, që çuditshëm shfaqi një ndjeshmëri dhe vdekshmëri 70 – 80% më të lartë ndaj virusit se Evropa Lindore (ku përfshihemi dhe ne), në kushte të mungesës së plotë të masave shtrënguese dhe zbatimin e politikave suedeze, sot do të rezultonim në Shqipëri, me një total vdekshmërie prej 685 viktima, që në kushtet e rezistencës natyrale në Evropën Lindore do të reduktohej në 115 viktima. Por me sa di unë, vetë kryeministri e ka korrigjuar si shifër, pasi e quajti një lapsus të specialistëve këshillues në fillimet e pandemisë, kur nuk njiheshin mirë kurbat epidemiologjike të COVID-19, duke e reduktuar numrin e viktimave në mungesë masash shtrënguese në 2200.
Por fatkeqësisht kjo shifër, mbetet sërish jashtë çdo parametri real epidemiologjik logjik, pasi në Gadishullin Ballkanik vdekshmërinë më të ulët e ka Bullgaria me 9 vdekje/ 1 mln banorë (sipas Ëorlmeters Coronavirus të dt. 28 Prill 2020) dhe më të lartin Sllovenia me 43/ mln, që të konvertuara në popullsinë shqiptare, do të rezultonin 25 deri 120 viktima, në një kohë që ne, me masat më drastike në rajon, kemi 30 viktima.
Me një përllogaritje të thjeshtë, duke u nisur nga vendi fqinj Greqia, për të cilën shefi i opozitës Tsipras e quajti neglizhente në masat shtrënguese dhe kërkoi të ndiqet shembulli i Shqipërisë (sipas medias shqiptare), e cila sot ka 13 vdekje/ mln, e konvertuar në popullsinë shqiptare do të rezultonim me 37 viktima. Pra masat shqiptare që kanë ekzaltuar z. Tsipras, në logjikën e thjeshtë matematikore kanë kursyer vetëm 7 jetë njerëzish. Si mjek jam i ndjeshëm edhe karshi një jete të humbur dhe do t’i mbështesja këto masa, nëse nuk do llogarisja qindra jetë të rrezikuara sot në shtëpi nga dalja jashtë loje e shërbimit shëndetësor shqiptar, ku QSUNT (Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”), qendra kryesore e menaxhimit të rasteve serioze për gjithë Shqipërinë, është e bllokuar në aktivitetin e saj si Qendra COVID
1.
Me sa vdekje do të pasohet kjo situatë në radhët e të sëmurëve të harruar (pra jo COVID-19), ku përllogaris të sëmurët kronikë, moshën e tretë të abandonuar dhe izoluar nga shërbimi shëndetësor? Çdo të bëhet me të sëmurët me sëmundje të rënda duke nisur nga ato të organeve vitale e deri në sëmundjet malinje (kanceroze), që nën stresin e kuçedrës COVID-19, janë izoluar dhe kanë harruar sëmundjen që u shkurton çdo ditë jetë? Sa sëmundje të paidentifikuara presin që të lirohen masat bllokuese për t’u diagnostikuar, në një kohë që në kushte paniku, ankthi dhe stresi nga “armiku i padukshëm”, po avancojnë, duke kërcënuar seriozisht jetën? Për mendimin tim, është nevojë imediate dhe emergjente, që QSUNT të zhbllokohet dhe të vihet në shërbim të shëndetit qytetar për gjithë Shqipërinë, dhe aktualisht me numrin e të sëmurëve që kemi dhe ecurinë epidemiologjike, qendra e trajtimit COVID 2 (Sanatoriumi) të kalojë në qendrën kryesore dhe të vetme për trajtimin dhe menaxhimin e situatës COVID-19 në Shqipëri.
Në bisedën paraprake që bëmë kur u takuam, ju më folët dhe për uljen e imunitetit në rast se njerëzit pengohen të dalin në rrugë. Në Itali për shembull, forca e virusit sipas njoftimeve ka zbritur në 0.6 për qind. Pra duhen diçka më pak se dy persona të infektuar që të infektojnë një të shëndetshëm. Në dijeninë tuaj ka ndonjë studim se sa është forca e infektimit në Shqipëri?
Kuptohet, unë jam kirurg plastik dhe mirë është që në terma teknikë të flasin specialistët e epidemiologjisë. Por mjekësia ka disa parime bazë, me të cilat është i njohur çdo mjek dhe të cilat duhet të zbatohen. Vetë, është deklaruar nga Qeveria, si zëdhënëse e një stafi të specializuar të emërtuar Komiteti Teknik, që masat drastike shtrënguese u morën me qëllim minimizimin e fluksit të infektimit dhe sëmundshmërisë, në mënyrë që ky fluks të bënte një ngritje graduale drejt pikut dhe të ishte i përballueshëm nga shërbimi shëndetësor.
Pra, që këtu, kemi pranuar se nuk mund të pengohet rënia në kontakt e virusit me gjithë popullatën, pasi kjo është e pashmangshme, bile e domosdoshme për krijimin e imunitetit natyral ndaj virusit. Në kushte kur, prej 3 – 4 javësh, kemi vetëm 5% pozitivitet coronavirusi në popullsi target, d.m.th. në popullsi të kontaktit të drejtpërdrejtë me të sëmurin, pra aty ku nuk penetrojnë dot masat shtrënguese të izolimit (pasi janë rreth familjar, qendër pune etj.), dëshmon se këto masa nuk sjellin më përfitim nga tejzgjatja e tyre, bile bëhen dëmtuese se pengojnë imunizimin e popullatës nga rënia në kontakt natyral me virusin nëpërmjet ekspozimit ndaj tij. Insistoj që është nevojë urgjente për kalimin gradual por të shpejtë nga izolimi në distancim, pasi është periudha më e përshtatshme për të realizuar kontakt gradual në popullatë me virusin.
Për disa arsye që na ofron stina e verës, ku dritaret e shtëpive mbahen hapur, ku gjelbërimi në parqe është në kulmin e tij, e bashkë me të dhe oksigjenimi, ku rrezatimi ultraviolet është në doza të larta, ku temperatura e lartë mjedisore ul virulencën e virusit, ku të gjithë këta faktorë e ulin dozën infektive të virusit nën pragun e sëmundshmërisë, duke e transformuar virusin në një vaksinë natyrale. Në të kundërt, ne e zhvendosim rënien në kontakt me virusin me organizëm të paimunizuar, në vjeshtë, ku sipas specialistëve presim një riaktivizim të virulencës së tij, ku temperaturat mjedisore dhe lagështia favorizojnë virulencën e virusit, ku dyert dhe dritaret e mbyllura të shtëpive dhe qendrave të punës do shkaktojnë doza të larta infektimi viral, që nuk çon më në imunizim, por në sëmundje.
Në muajin janar dhe shkurt një pjesë e mirë e popullsisë kanë raportuar shenja gripi të fortë dhe mjaft të ngjashëm me atë që raportohen nga COVID 19. Mjekët e familjes, dhe të klinikave private shprehen se gjatë kësaj kohe ka pasur dyndje të personave të prekur nga pulmonet, madje dhe të oksigjenuar në kushtet e shtëpisë. A ekziston mundësia që një pjesë e popullsisë të jenë imunizuar tashmë?
Kur e hodha këtë ide para 3 javësh, u konsiderua herezi, por aktualisht edhe zyrtarisht është pranuar se epidemia duhet ta ketë pasur pikun para periudhës së karantinës. Në atë kohë, unë kërkova nga epidemiologët të shpjegonin pse pas vendosjes së karantinës kishim një kurbë në rënie dhe jo në ngritje, duke vënë në dyshim rastin 0 të njohur zyrtarisht si rast fillestar të epidemisë. Për këtë u nisa nga këmbimet e dendura që kemi me Italinë e Veriut (dhjetëra udhëtime ajrore në javë, pa përfshirë udhëtimet tokësore, apo detare), gjë që e bënte të pamundur izolimin e Shqipërisë nga ana epidemiologjike nga regjioni më i goditur nga COVID-19.
Aktualisht flitet se në Milano, virusi ka qenë prezent që në mesin e Janarit (nga specialistë italianë). Por prezenca e këtij virusi u maskua, për mendimin tim, sepse u ndërthur me epideminë stinore të gripit AH1N1. Flitet në këtë kohë nga shërbimi shëndetësor primar (mjekët e familjes), si dhe urgjencat spitalore, për praninë e rasteve me temperaturë të zgjatur deri në 10 ditë, me një kollë që zgjaste deri në 3 javë, si dhe komplikacione pulmonare që e kishin të domosdoshme aplikimin e antibiotikëve. Për këtë unë i kam propozuar publikisht departamentit të imazhërisë, të rihapë imazhet pulmonare radiologjike të këtyre muajve, pasi në këtë periudhë shpesh është dëgjuar termi pneumoni atipike.
Tashmë që syri i imazhëristëve është thyer me pamjet e COVID-19, rishikimi i imazheve të muajve janar – shkurt do t’i jepte fund dilemës nëse kanë qenë prezente, ose jo imazhe të ngjashme me pneumoninë e këtij virusi. Megjithatë pas 7 javësh pritje të pikut dhe mos mbërritjes së tij, kur nuk e hasëm përpara, patjetër e kemi lënë prapa. Nga ana tjetër, thashë se aktualisht në tamponimet e grupeve target, që janë grupe që nuk i mbrojnë masat e izolimit, ne e hasim virusin në 5% të popullatës, i takon që 95% të ketë rezistencë natyrale, ose të jetë e imunizuar nga kalimi i virozës pa shenja klinike më parë. Unë kam propozuar, që këta 90 – 95% që dalin tampon negativ (pa virus) në grupet e ngushta të kontaktit, t’u bëhet testi i imunizimit dhe të shohim se sa % prej tyre janë të imunizuar.
Kjo do jepte një informacion të tërthortë për shkallën e imunizimit të popullatës në tërësi dhe zhvendosjen e periudhës së epidemisë në muajin shkurt, gjë që do ta relashonte qeverinë në daljen nga ankthi dhe paniku, dhe ndërmarrjen më me guxim të masave çliruese. Por do isha totalisht kundra testimit të gjithë popullatës për imunizim, se kjo jo vetëm do kishte kosto tepër të lartë financiare, por edhe do kërkonte kohë, që për Shqipërinë në agoninë e një bllokimi total të jetës së vendit prej 7 javësh, do të ishte vdekjeprurëse. Edhe përfitimi nga një testim masiv do ishte minimal, se edhe sikur të supozojmë për një moment se popullsia shqiptare do na dilte e paimunizuar, Shqipëria nuk mund të vazhdonte pafundësisht izolimin, por do të detyrohej të bënte imunizimin natyral të grupit.
Shqipëria por edhe vendet e tjera të rajonit, kanë pasur një qasje si të thuash të moderuar karshi COVID 19. Mendoni se qasja e virusit në vende dhe popullsi të ndryshme nuk është e njëjta, pasi mund të ndikojnë faktorë të tjerë?
E argumentova edhe më sipër se është aktualisht fakt që vendet më të zhvilluara e kanë kaluar paradoksalisht më rëndë këtë pandemi. Them paradoksalisht, sepse në kushte normale duhet të prisnim që popullatat më të kequshqyera, me shërbim shëndetësor më deficitar, duhet të pasoheshin nga një frekuencë më e lartë sëmundshmërie dhe numër më i lartë viktimash. Atëherë shkaku duhet të kërkuar në faktorët predispozues që kanë ekzistuar në kushtet e mirëqenies.
Sot janë hedhur hipoteza të mungesës së sëmundjes së malaries, apo tuberkulozit në këto vende, pasi thuhet se antimalarikët dhe vaksinimi me BCG (vaksina e tuberkulozit) kanë rritur imunitetin. Por unë vetë, do ta ktheja vëmendjen tek aplikimi i vaksinës së gripit shpesh i rregullt në vendet e zhvilluara, i cili për mua deformon imunitetin ndaj virusit. Ajo që më tërhoqi vëmendje ishte përse zona e Lombardisë të veçohej nga gjithë regjionet fqinjë, qoftë Italia e Jugut, qoftë dhe shtetet fqinjë në veri të Italisë.
Mora vesh se Lombardia e aplikonte vaksinën e gripit me protokoll 2 herë në vit në vjeshtë dhe në janar. Dikur në imunologjinë klasike theksohej, se gripi nuk do të kishte vaksinë se ndërronte pjesërisht pamje imunologjike (në mjekësi quhet kapsidë) pas 3 muajsh dhe plotësisht për 5 vjet. Pra ai nuk mund të lërë imunitet të qëndrueshëm. Pra ajo që shpesh flitej këto kohë për një “virus inteligjent” nuk është veti vetëm e coronavirusit, por e çdo virusi të gripit.
Aktualisht duhet parë nga imunologët, aplikimi i përsëritur i vaksinave me viruse të dobët gripalë, a e ul aftësinë imunitare të organizmit, duke e transformuar organizmin në një forcë ushtarake të stërvitur në terrene virtuale, dhe të paaftë të rezistojë dhe kundërpërgjigjet në luftë reale? Ose në të kundërt mbingopja me proteina virale të vaksinave të përsëritura mos krijon një gjendje hipersensibiliteti, si në rastin e alergjive, gjë që shkakton komplikime të virozës, jo më nga agresiviteti natyral i virusit, por nga reaksionet imunitare brenda organizmit? U ndala këtu, se dëgjova se jemi bërë pjesë e territoreve ku do testohen skemat e mjekimit të COVID-19 nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë).
Për skema normale mjekimi ne nuk jemi terren i përshtatshëm, pasi numri i kufizuar i të sëmurëve që kemi, nuk mund të japë asnjë rezultat statistikor bindës për një program pilot studimor. Atëherë ky ose është lobim qeveritar për qëllime propagandistike, ose OBSH ka përzgjedhur vende me sistem kontrolli antikorruptiv të ulët, për të abuzuar me fondet. Por të dyja këto nuk do të më shqetësonin si mjek, aq shumë sa do më tmerronte nëse Shqipëria është angazhuar të testojë skema të detyruara vaksinimi gripal. Kjo duhet të ngrejë peshë gjithë opinionin e komunitetit shëndetësor, se është një atentat i pastër karshi jetës dhe shëndetit tonë dhe të fëmijëve tanë, është goditje e pastër karshi të drejtës thelbësore për të vendosur për të jetuar me imunitet natyral, apo të deformuar artificial. Aplikimi i vaksinave me imunitet të përkohshëm duhet të jetë pa ekuivok e drejtë e përzgjedhjes së lirë të individit për aplikimin, apo mos aplikimin e tyre.
Kur foli për zgjatjen e fatkeqësisë natyrore, kryeministri u shpreh se këto masa do vazhdojnë deri në daljen e vaksinës. Por Shqipëria në këtë drejtim s’ka asgjë në dorë, dhe njoftimet që vijnë nga vendet që kanë kapacitet për ta zhvilluar atë shprehen se nuk do jetë e mundur nxjerrja e saj para një periudhe 1.5 deri në 2-vjeçare. Por a e ndalojnë masat virusin për një periudhë kaq të gjatë?
Në bindjet e mia, vaksina ashtu siç nuk ishte guri i themelit të trajtimit të SARS-1, edhe për këtë virus do të jetë thjesht një mjet komercial farmaceutik. Por për këtë, nuk ia vlen të dëgjohem unë, se ndihet në bindjet e mia një qëndrim agresiv karshi aplikimit të vaksinave të gripit në tërësi. Ajo që do të veçoja nga arsyet, për të cilat pretendohet zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, është paralajmërimi se specialistët presin një valë të dytë epidemie në vjeshtë, që ndonëse më e butë se e para, ka problematikat e veta dhe kërkon korrektimin e gjërave që nuk u bënë mirë në fazën që kaluam.
Në radhë të parë, nëse pranojmë se epidemia ka qenë prezente që në shkurt, Shqipërinë e mbrojti Shërbimi Parësor (Mjeku i Familjes), i cili në kushte të mos rënies në panik trajtoi me qetësi agresivitetin e dy viruseve të kryqëzuara në të njëjtën periudhë dhe nuk mbingarkoi asnjëherë shërbimin dytësor, apo atë terciar. Në këtë këndvështrim, duhet hequr dorë nga një numër unik 127, që do të prodhojë vetëm kaos dhe viktima, por skalioni i parë në një pandemi duhet të jetë mjeku i familjes, mirë i orientuar, qoftë dhe me broshura të shpejta për sëmundjet që shfaqen. Në raste sëmundjesh infektive agresive, ai duhet kaluar menjëherë në lidhje telefonike me të sëmurët e tij, duke eliminuar kontaktin e drejtpërdrejtë me të sëmurët dhe transformimin e tij në shpërndarës infeksioni. Duhet besuar më shumë te receta elektronike e mjekut të familjes, që në raste të tilla emergjencash t’i hiqen kufizimet në preskriptimin e medikamenteve, edhe atyre që nuk janë e drejtë e tij.
Personeli i 127, me dispozitivët e nevojshëm të mbrojtjes individuale, duhet aktivizuar vetëm nga mjeku i familjes për kontakt të drejtpërdrejtë fizik me të sëmurin dhe transferimin e tij drejt qendrave spitalore. Nga ana tjetër, do të jetë gabim fatal, nëse për situata të tilla të një sëmundjeje, të bllokohet QSUNT, pasi ajo është qendra e vetme menaxheriale e shëndetit për gjithë Shqipërinë, as QSUT (Spitali Ushtarak), pasi është qendra e vetme e menaxhimit traumatologjik të gjithë Shqipërisë, por Spitali Rajonal i Tiranës “Shefqet Ndroqi”, se është me personel mjekësor polivalent, i distancuar nga Tirana, në zonë të izoluar dhe lehtësisht të menaxhueshme, dhe lehtësisht i ndihmueshëm me specialistë nga QSUNT, për distancën e afërt me të.
Së fundi desha të theksoj, më tepër se sa prodhimi i vaksinës, për kalimin e qetë të epidemisë së vjeshtës (gjithnjë nëse ndodh), mua më shqetëson kalimi gradual sa më i shpejtë nga izolimi në distancim, për një imunizim gradual dhe të butë natyral të popullatës. /Mapo/