Pronari i hotelit: Mjekët dhe infermierët shqiptarë lanë pas të vjella, këtë punë e bënin pothuaj çdo natë …..

E Enjte, 30 Prill 2020 20:30

Drejtori i Hotel Regal në Breshia ku po qëndronin një pjesë të infermierëve dhe mjekëve shqiptarë të dërguar në Itali është revoltuar për mënyrën sesi ata janë sjellë gjatë qëndrimit të tyre.

Në një shkrim të botuar në Repubblica, Luca Andriani tregon se ekipi i dërguar nga Shqipëria për të ndihmuar shtetin fqinj në luftën kundër Covid-19, jo vetëm që bënin festa, por nuk mbanin as maska dhe as nuk kujdeseshin për distancimin fizik apo social.

 

Shumë prej këtyre mjekëve dhe infermierëve u gjobitën nga policia lokale ndërsa po festonin përfundimin e misionit të tyre në Itali.

 

I revoltuar Andriani tregon:

 
 

“Iu drejtova policisë dhe do ta bëja përsëri, sepse angazhimi në spital nuk justifikon mungesën totale të korrektesës dhe respektimit të rregullave. Portieri i natës më bëri telefon rreth mesnatës dhe më tha se festa kishte vazhduar për orë të tërë, me alkool dhe muzikë me zë të lartë, duke provokuar protesta nga klientët e dhomave tët tjera, që janë zënë kryesisht gjatë kësaj periudhe nga personele shëndetësore dhe forca të rendit, veçanërisht karabinerë.”

Drejtori i hotelit thekson gjithashtu se shqiptarët nuk mbanin maska dhe shumica prej tyre dilnin në ballkon duke kënduar dhe ulëritur. Ndërsa shton se hoteli ndodhet përpara spitalit.

Por nuk mbaron me kaq. Sipas Andriani-t, kjo nuk ishte hera e parë që delegacioni shqiptar i thyente rregullat.

Ai shpjegon më tej: Ishin rreth 30 mjekë dhe infermierë që qëndruan në hotelin tonë për një muaj dhe të paktën dhjetë prej tyre ishin shumë të vështirë për t’u menaxhuar.Pavarësisht se u filmuan disa herë, si nga stafi i hotelit por edhe nga policia lokale gjatë kontrolleve, ata mblidheshin shpesh në dhoma, në sallën e pritjes, por edhe në ballkone jashtë ku dilnin për të pirë duhan. Pastaj nuk mbanin maska, lanë pas gjurmë të vjellash për t’u pastruar nëpër dhoma dhe u përpoqën të hynin në pishinën e mbyllur për shkak të rregullave ‘anti-Covid’…”

Luca tregon më tej se u detyruan që të njofronin drejtuesit e spitalit për sjelljen e tyre, duke shtuar se “po flasim për 30-vjeçarë dhe jo për fëmijë.”

Luca Andriani: Sigurisht nuk po e vëmë në dyshim punën e tyre në spital, por na u duk normale që të raportonim sjelljen e tyre jashtë, veçanërisht në mbrëmje. Unë e kuptoj që të rinjtë kanë të drejtë të pushojnë, sidomos pas ditëve të tilla stresuese, por pa e tejkaluar. Megjithatë po flasim për 30-vjeçarë dhe jo për fëmijë”.

Edhe policia lokale ishte përpjekur t’i trajnonte për t’u sjellë në vijë me rregullat, por si duket kishte qene  pamundur.

Drejtuesi i hotelit shpjegon më tej:

“Komandanti më telefonoi disa herë për të më sinjalizuar se kishte grumbullime në hollin e hotelit, por unë nuk jam sherif. Kam punonjës shqiptarë që janë përpjekur të flasin me ta, për të kapërcyer çdo pengesë gjuhësore, por edhe në këtë rast pa rezultat”.

Më pas, ndaj tyre u aplikuan edhe dënime. Ata u gjobitën me 500 euro.

Ndërsa, Luca thekson në fund se nëse nuk sillen sipas rregullave të vendosura kudo, prania e mjekëve që kanë shkuar me qëllim për të dhënë ndihmë në shtetin fqinj, bëhet e padobishme.

Luca Andriani: Më vjen keq që shkuam deri në këtë pikë, por është e drejtë që pas disa kartonëve të verdhë, të vijë një karton i kuq. Denoncimi ishte i domosdoshëm, sidomos në respekt të atyre që ndjekin rregullat. Unë u jam mirënjohës mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që erdhën të na ndihmojnë, por nëse në vend që të na ndihmojnë, ata na ekspozojnë ndaj rreziqeve për shkak të sjelljes së tyre, prania e tyre bëhet e padobishme. /abcnews.al/

Login to post comments