Arrestohen 9 persona në Tiranë, sekuestrohet edhe lëndë narkotike heroinë. Policia jep detaje

Diel, 03 May 2020 14:25

Nëntë shtetas janë arrestuar nga policia për vepra të ndryshme penale.

policia-tirane_1_3_14_03

Me anë të një komunikate, policia e kryeqytetit sqaron se dy prej tyre ishin të shpallur në kërkim.

Një 30 vjeçar është arrestuar, pasi i janë gjetur 11.4 gr lëndë narkotike e llojit heroinë, e ndarë në doza gati për shitje.

Komunikata:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, krahas angazhimit për zbatimin e masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. 9 shtetas në pranga, dy prej të cilëve ishin shpallur në kërkim.

Sekuestrohet lëndë narkotike heroinë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast, duke vënë në pranga  shtetasin A. A., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 11.4 gr lëndë narkotike e llojit heroinë, e ndarë në doza gati për shitje.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasi M. P., 61 vjeç, pasi gjatë kontrollit të mjetit me të cilin ky shtetas po qarkullonte, në bagazh iu gjetën 1 shkop bejsbolli, 1 shkop gome dhe një 1 hekur metalik.

Gjithashtu, po nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, i shtetasit E. Ll., 60 vjeç, banues në Baldushk, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta me vëllanë dhe nipin e tij kanë goditur njëri-tjetrin me sende të forta. Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë për shkak të moshës, shtetasi M. Ll., 74 vjeç, si edhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit B. Ll., 45 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin O. K., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe është konstatuar nga shërbimet e Policisë jashtë banesës së tij.

Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 2 u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasi N. F., 46 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 29 vjeç, pasi në rrugën “Shefqet Ndroqi” u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.66 mg/l.

Gjithashtu, po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, i shtetasit Xh. H., 59 vjeç, pasi në vendin e quajtur “Marikaj”, ka aksidentuar një shtetas, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë janë kapur dhe ndaluar shtetasit: M. M., 31 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje” dhe K. Gj., 40 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Login to post comments