Peshkatarët e Sarandës në protestë, kërkojnë të furnizohen me karburant sipas çmimit të bursës

Hënë, 04 May 2020 13:30

Peshkatarët në Sarandë ankohen për çmimin e lartë të karburantit me të cilin furnizohen në një kohë kur ai ka shënuar rënie në tregjet ndërkombëtare.  Ata thonë se po rrezikojnë falimentin, ndaj kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve të shtetit që tu garantojnë naftë me çmimin e bursës.

Peshkatarët në Sarandë protestuan këtë të hënë për çmimin e lartë të karburantit që sipas tyre po i çon drejt falimentimit krahas situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Ata thonë se çmimi me të cilin furnizohen është shumë i lartë, ndaj kërkojnë të furnizohen me çmimin e bursës.

"Në bursa ndërkombëtare nafta ka arritur deri në 20 dollarë fuçia. Ju lutemi shumë shikojeni, na ndihmoni se jemi drejt falimentimit."

"Duam një shteg shpëtimi, kaq kërkojmë nga shteti shqiptar."

Mbyllja e lokaleve për shkak të pandemisë dhe nafta me çmim të papërballueshëm ka bërë që peshkatarët në Sarandë të dalim më rrallë në det, duke e bërë të vëshirë kështu edhe sigurimin e pagesës për punëtorët.

"Nuk del hesapi, peshku që zihet po nuk u shit se dyqanet janë të mbyllura, tregu është i mbyllur, familjet janë të mbyllura, janë të lidhura zinxhirë këto punë."

Gjithashtu ata shprehen se pavarësisht se janë të siguruar, asnjëri prej tyre nuk ka përfituar pagën e luftës.

Login to post comments