Një punonjës policie ka mbetur i plagosur teksa ndodhej në krye të detyrës. Ngjarja në fjalë ka ndodhur sot rreth orës 13:00, në rrugën interurbane kryesore Durrës-Tiranë, në hyrje të Vorës.
‘BalkanWeb’ meson se një mjet ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka goditur nje automjet te ndaluar jashtë rruge tip BMW X5, si dhe punonjësin e Policisë Rrugore me iniciale R. Q., i cili në momentin e përplasjes po kryente verifikimet dhe veprimet policore ndaj drejtuesit.
Mësohet se polici është transportuar me urgjencë në spital, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 04.05.2020, rreth orës 13:00, në rrugën interurbane kryesore Durrës-Tiranë, në hyrje të Vorës, automjeti i drejtuar nga shtetasi me iniciale M. B ., 20 vjeç, ka humbur kontrollin si rezultat i shpejtësisë dhe për pasojë ka goditur automjetin e ndaluar jashtë rruge tip BMW X5, si dhe punonjësin e Policisë Rrugore me iniciale R. Q., i cili në momentin e përplasjes po kryente verifikimet dhe veprimet policore ndaj drejtuesit të automjetit tip BMW X5 në krahun e shoferit të këtij mjeti, i cili ishte konstatuar duke qarkulluar pa vendosur targat në vendin e caktuar.
Punonjësi i Policisë është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Të dy drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksident janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.