Gazetari Klodian Tomorri denoncon se në periudhën më të vështirë për financat publike në vend, qeveria do marrë borxh për të ngritur Teatrin e ri
Nga Klodian Tomorri
Bashkia e Tiranës sapo ka nisur shkresën zyrtare në Ministrinë e Financave, ku i kërkon qeverisë të miratojë garancinë sovrane për kredinë që do të marrë për Teatrin.
Sipas shkresës, kredia do të jetë 30 milionë euro dhe me gjasa do të merret nga Banka Europiane e Investimeve. Me sa duket negociatat me bankën janë bërë ndërkohë.
Meqë Bashkia nuk ka këllqe të dalë vetë në treg sepse nuk i jep njeri financim, kërkon garancinë e qeverisë. Për pasojë, kredia për ndërtimin e Teatrit do të blindohet me garanci nga buxheti i shtetit. Borxhi publik do të rritet, qytetarët do ta paguajnë nga taksat e tyre.
Me nxitim të madh, pa u mbushur 10 ditë nga shembja. Pikërisht në momentin më të vështirë të financave publike, në kulmin e pandemisë kur prioriteti i qeverisjes duhet të ishte kriza shëndetësore dhe ajo ekonomike. Ne shtojmë borxh mbi borxh dhe deficiti me shumë mundësi do të kërcejë mbi 5.5 për qind këtë vit.
Prej shekujsh qeveritë marrin borxh për të investuar në vepra apo projekte publike, të cilat zgjerojnë kapacitetet prodhuese të ekonomisë ose rrisin produktivitetin e saj. Këto investime gjenerojnë kthim ekonomik, dhe duke bërë këtë, shlyejnë paratë e marra borxh dhe rrisin mirëqenien e përgjithshme të popullatës. Ne kemi filluar të marrim borxh për tekat estetike të qeverisë dhe bashkisë, ose për të nginjur orekset private mbi tokat publike. Por siç thotë ideologjia e së majtës esktreme; mbi gërmadhat e botës së vjetër, të ndërtojmë të renë.
Incentiva më perverse që çon në shpërdorimin e parave publike është lidhja e zhdrejtë mes atij që shpenzon dhe atij qe paguan. Vendimin për të shpenzuar para publike e marrin institucionet, por faturën e paguajnë qytetarët. Kur paratë janë të tjetrit, nuk ndien dhimbje as atëherë kur i shpenzon për teka.
Për shkak të kredisë së Teatrit, qeveria dhe Bashkia do të kenë 30 e kusur milionë euro më pak për shëndetësinë, shkollat apo politikat sociale. Ose nëse nuk financohet nga shkurtimi i shpenzimeve, do të financohet nga të ardhurat. Dmth pas ca kohësh, ndoshta Bashkia e Tiranës mund të propozojë ndonjë taksë të re të posaçme, si ajo që paguajmë tani për shkollat. Vetëm se këtë here do të jetë për Teatrin.