Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka nisur hakmarrjen ndaj presidentit të Yldon Media Group zotit Ylli Ndroqi. Erion Veliaj ka bërë fakt shkarkimet nga puna të miqve apo të njohurve të z. Ndroqi. Vendimi ka ardhur pas shantazhit për të ndaluar brenda 24 orëve kronikat e padëshiruara për të, ashtu siç e paralajmëruam ditën e martë.
Këtë të enjte, sapo afati përfundoi, stafi i Bashkisë lajmëroi shkarkimin e parë nga detyra.
Pa asnjë paralajmërim punonjësit N.P i është komunikuar largimi nga detyra, pa vënë në dispozicion shkaqet që çuan në këtë vendim. Dhe këtë e pranojnë dhe eprorët e tij.
Madje drejtues shprehen të çuditur dhe siç shfaqet në këto regjistrime amatore, japin vlerësime me superlative.
Por kryebashkiaku nuk e ka ndalur vetëm këtu hakmarrjen.
Pasi ka hetuar mbi rrethin miqësor, ka vendosur dhe të shembë një shtëpi të rindërtuar pas tërmetit, vetëm për faktin se ishte i afërm i z Ndroqi.
Shantazhi në këtë rast bie në shkelje dhe të kërkesës së kryeministrit Rama.
Por vetëm për tekat e tij dhe për shantazh Kryebashkiaku vendos të godasë fillimisht vetëm një prej shtyllave të banesës.
Ndërsa sot, të enjten, përmes personave të tjerë z Ndroqi i bëhet e ditur se godina do të rrafshohet tërësisht.
Presidenti i Yldon Media Group i bën edhe një herë thirrje Veliajt të tërhiqet nga këto forma të ulëta presioni.
“Shantazhe të tilla të ulëta nuk do të ndikojnë në punën e gazetarëve të Ora News. Lali Eri tërhiqu sa nuk është vonë, pasi po cënon familje të tëra, duke u shkaktuar probleme të rënda ekonomike. Lali Erin shumë e njohin, por pak e dinë të vërtetën mbi të. Këto veprime tregojnë vetëm një pjesë të anës së panjohur të tij. Lali Eri, në Ndroq, Pezë e Vaqarr janë familje të dëshmorëve. E tillë është dhe familja së cilës kërkon ti rrafshosh në tokë strehën. Votuesit e kësaj zone që mbështetën Veliaj e dinë mirë kontributin që dhanë në luftën ndaj pushtuesit, por Veliaj nuk e njeh këtë sakrificë. Si mund ta njohë kur edhe kurorën me lule nuk e vendos në Monumentin Nënë Shqipëri, por e lë në derën e Varrezave të Dëshmorëve, për të mos thënë në rrugë?!Lali Eri, hiq dorë nga shantazhet që cënojnë të drejtën e medias tonë, hiq dorë nga cënimi i bukës për familje të tëra që i ke vendosur në listë".
Në fakt ky është presioni i radhës ndaj RTV Ora dhe Ora News, por si gjithnjë kjo nuk do të ndikojë në punën e gazetarëve dhe të medias.