Gazetari Ylli Rakipi, i ftuar në emisionin “Në fokus” në Tv T, ka folur për reformën zgjedhore dhe dështimin e palëve për të arritur një marrëveshje.
Rakipi tha se tryezën mund ta bllokojë vetëm mazhoranca, pasi ajo ka në dorë çdo mjet për ta bërë një gjë të tillë dhe se identifikimi biometrik mund të zgjidhë problemin e manipulimit të votave, duke përdorur karta të identitetit të emigrantëve, që nuk janë fare në Shqipëri dhe rezultojnë se kanë votuar.
“Zgjedhje të lira në Shqipëri ka patur vetëm në vitin 1992 dhe në vitin 1994 për referendumin kushtetues. Që nga dita kur Berisha humbi referendumin, në Shqipëri nuk ka më zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk e pranojnë këtë sistem, partitë nuk pranojnë numërimin e votave.
Këtë reformë në përgjithësi e bllokon ai që është në pushtet. Ai ka fuqinë ta bllokojë, ka mundësine dhe pushtetin ta bëjë.
Tani e bllokon prijësi ynë i vetëm, kryetari i regjimit Edi Rama dhe pushteti i tij absolut. Ai kërkon të fitojë patjetër, pa diskutim, me çdo çmim. I intereson dhe një kod elektoral, pak a shumë siç është.
Palët duhet të mblidhen dhe të vendosin rregullat, të ndërtojnë një sistem, në mënyrë që të votohet sa më mirë. Nëse do kishim një mazhorancë normale, që nuk do të vjedhë votat, do të pranonte kërkesat e opozitës.
Së pari ata kërkojnë identifikimin biometrik. Kjo opozitë ka folur dhe ka thënë, se Rama ka vjedhur votat. Një mënyrë është kjo pra, njerëzit votonin me letër identiteti. Shkoi goxha lek çmimi i kartës së identitetit, dërgohej me postë nga vende të tjera dhe paguanin paratë“, tha Rakipi.
Nga ana tjetër, gazetari u shpreh se këto negociata në dukje të ethshme mes palëve, mund të jenë edhe një lojë, për t’u harruar kërkesa e qytetarëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe në fund të duket se palët kanë arritur një marrëveshje të madhe, që në thelb nuk ndryshon asgjë.
“Kam frikë që kjo është një lojë, sikur po përplasen, sepse në fillim PS e pranoi identifikimin biometrik. Tani ktheu rrugë.
Këta nuk lejojnë të hyjë askush tjetër, me këtë gardh të çeliktë që kanë ndërtuar. Nuk hyn dot askush në parlament, që të mos prishë rehatinë e tyre.
Edhe opozita, kam frikë se nuk bën dallim nga kjo pjesë. Edhe kjo më duket si një lojë e pështirë, që të harrohet ndryshimi i sistemit dhe të kalçifikohet ky që kemi“, u shpreh Rakipi.