33-vjeçari Orges Sinjoni, prind i dy fëmijëve, i cili protestoi me vazo lulesh në rrugën Durrës – Shijak, prej 20 vjetësh jeton e punon në Itali. Ai u kthye vetëm para dy ditësh në shtëpinë e tij në Xhafzotaj pasi solli trupin e gjyshit për ta varrosur në vendlindje.
“Solla gjyshin për ta varrosur. Ishte natë kur erdhëm nga Rinasi. Në këtë rrugë me gropa vdesin të gjallët e ngjallen të vdekurit. Si nuk ngrihet ky popull e të kërkojë të drejtën e tij për rrugë, duke qenë në mes të vendit dhe janë të izoluar. Në Xhafzotaj e Shijak janë të punësuar 5 mijë veta në fabrika, u shkatërruan makinat në këtë rrugë çdo ditë”.
Nesër në mesditë ai ikën sërish në Itali ku e pret familja e tij. Por në orën 7 deri në 8 të mëngjesit ka marrë leje nga komisariati i Policisë së Shijakut për të zhvilluar sërish një protestë paqësore.
Ai i ka bërë thirrje banorëve të protestojnë sepse vetëm duke kërkuar mund të zgjidhin problemet e tyre, ndërsa në heshtje asgjë nuk mund të zgjidhjet.
Pavarësisht kësaj, Orgesi është i bindur se duhet të protestojë e të kërkojë të drejtat e banorëve para se të ikë në vendin ku punon e jeton.
“Nesër i ftoj të gjithë të protestojmë për rrugën. Jo për mua sepse unë me keqardhje them se do shkoj të jetoj atje ku kam një jetë me familjen time, por të protestojnë për veten e tyre, për fëmijët e tyre”.
Mëngjesin e sotëm 33-vjecari vendosi në rrugë vazot e luleve dhe kazanët e plehrave, për të bllokuar qarkullimin rrugor për pak minuta. Të gjithë shoferët dhe pasagjerët që ishin në rrugë ju bashkuan duke mbështetur protestën e tij.