Pelegrinazh në Orosh

Tuesday, 29 September 2020 14:15


Gent Cela
Kemi lënë Rrugën e Kombit dhe kemi marrë degëzimin për në Orosh. Duket sikur makina me të cilën udhëtojmë, ka qenë e para dhe e fundit që ka kaluar aty. Dom Gjergj Meta thotë meshë në Orosh në orën 18:00 e jemi nisur për aty. Në anën tjetër, një rrugë e ngjashme, që duket sikur vuan ende dënimin e të cofurit në Spaç. Mendja të shkon se ç’do bënte një shtet normal me këtë muze pafajësie, me rrathët e ferrit atje, pasi të kishte përmbysur komunizmin. Pasi ta kishte përmbysur vërtet komunizmin.


Me Dom Gjergjin jemi takuar diku në Rrëshen, pasi u kthye nga Tirana ku ishte nisur për punë të kishës. Dom Agustin Bardhin, priftin e Rrëshenit, e gjejmë mëngëpërveshur, në Katedralen që e presin ndryshime e që do i japin kishës dhe atij qyteti të formuar me urdhër nga lart, një tjetër hapësirë e duke e afruar më shumë me katedralen. Sa herë vij në këtë katedrale, më kumbon mesha e shugurimit ipeshkvnor të Dom Gjergjit. Letra e Papa Françeskut drejtuar atij. E sidomos fjala e ipeshkvit të sapoemëruar…

“Kisha është e varfër, kërkon mbështetjen e të gjithëve, duke përjashtuar prerë ata që kanë fituar nga korrupsioni, trafikimi i drogës dhe i qenieve njerëzore, e se dera e kishës për ta është e hapur vetëm për falje.” Tre vjet më parë, të nesërmen e shugurimit, kishte marrë rrugën për të mbajtur meshën e parë në Orosh. M’u beh se rrugës për atje kishte marrë dhe një gjobë nga policia. Tri vite më pas, i njëjti udhëtim.


Rrugës për atje, Ardian Fezollari rreket të fotografojë atë peizazh si të dalë nga ndonjë poezi e shkruar nga Camaj e të pikturuar nga Ai të cilit Dom Gjergji i shërben. Mbërrijmë në Orosh, në Abacinë e famshme. Erdhi Monsiniori! Pas pak fillon mesha. Fshamja e gjetheve duket sikur heshton pasi dëgjohet kambanorja. Ati ynë, që je në qiell, ardhtë mbretëria jote…Fytyra fisnike e të pranishmëve ndjekin lutjen e Ipeshkvit të tyre. U flet për shpresën, guximin, besimin dhe një pasazh nga Bibla. Luka hodhi rrjetat tre herë dhe humbi shpresën. E herën e katërt, rrjetat u tejmbushën.

 

Të pranishmit, jeta e të cilëve duhet të mos jetë fort e lehtë, atje si në qendër të harresës, me duar që u shkëlqejnë prej punës, lodhjes, ndershmërisë. Në anën tjetër, një grua, si një Nënë Tereze oroshase, me duart bashkuar e me shaminë e bardhe në kokë, e ndiej tek lutet. Dom Gjergji u kërkon të vendosin ditët kur duan që ai të shkojë atje për meshë, e në pak sekonda gjithçka zgjidhet me një mirëkuptim absolut të të gjithëve.

 

Pas meshës, dalin jashtë Kishës së Sh’Llezhdrit plot histori, një prej monumenteve më të rëndësishme të katolicizmit në Ballkan. Aty qëndron do kohë e zhytet në biseda me banorët. Hallet, fëmijët, shkolla, miqtë, punët e fshatit. Duket si një familje e madhe me ta (e kush tha se priftërinjtë nuk paskan familje). Empatia mes Dom Gjergjit dhe grigjës së vet, si bari shpirti, të fton në reflektim shpirtëror të pagjasë. Ardiani u bën një shkrepje bashkë.

“Mos kij frikë tepricë e vogël. Me teprica Zoti ka bërë hise të mëdha.” – shkruan Monsiniori mbi këtë foto. Përshëndetemi me besimtarët. Atypari më kujtohet një mik që thotë se Zoti na ka marrë At Fishtën por ka sjellë Dom Gjergjin. Më tutje përshëndet dikë që ruan capak dele e që s’kishte mundur të vinte në meshë. A je mirë, nuk arrite dot? Jo Dom Gjergj, nuk munda, ujku ka ardhë afër, dje e kish marrë njanën prej deleve.

I kujtoj ‘Një meshë për pulat’, kërkesën e dikujt atëbotë për një meshë për pulat, ku thjeshtësia e botës reale, asaj të prekshmes zbon virtualen. Në djergë të rrugës, për një moment kap një heshtim. Duket sikur një pjesë e Dom Gjergjit, nuk po kthehet me ne, por qëndroi atje në atë cokël të Shqipërisë së Vjetër, me grigjën e vet. Arrijmë në Rrëshen ku përshëndetemi dhe ndahemi me Ipeshkvin. Në kthim, duket e pashlyeshme çiltërsia e Dom Gjergjit me të gjithë, vërtetësia, përkushtimi për këdo. Aty për aty mendoj se kemi humbur një burrështetas, e se kisha ka fituar një klerik të denjë, duke u treguar disi egoiste duke e mbajtur vetëm për vete. Por vështirë t’ia ketë dalë.

Dom Gjergji është besoj, personaliteti më i gjithëpranueshëm. Qëndrimet publike, dinjitoze, si një peregrinus misionar, në mbrojtje të vlerave të familjes, të dashurisë e dhembshurisë për vendin, të ardhmen, tjetrin, për besimin. Madje edhe në mbrojtje të besimit të tjetrit. Jo të pakta janë rastet kur u del përballë sulmeve bajate që i bëhen islamit me filma karikaturash. Dhe tek thotë se nëse Evropa na refuzon se jemi me shumicë myslimane, unë refuzoj Evropën e vazhdoj jetën me miqtë e zemrës që janë myslimanë.

Tek shkruan se teksa thirret ezani i xhamisë së Durrësit, dëgjohet brenda kishës kur ai thotë meshë, si një bashkim i një harmonie të plotësuar. Mund të rendis pafund rastesh të tilla.Përshkojmë Tiranën ku vazhdon më ndjek ideja se kemi humbur një burrë shteti, një president ndoshta. Por e di, Dom Gjergji është aty ku ai do, dhe ku Dikush Tjetër e ka thirrur të jetë aty.
E me këtë bie disi në paqe, duke e ditur me siguri, se pa simbolin e Dom Gjergj Metës, ky vendthi ynë, do të ishte krejt i varfër.

Lutu për ne Dom Gjergj!

 

Login to post comments