Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka postuar në rrjetin social “Facebook” një status në lidhje me gjygjin që do të zhvillohet sot për 11 kuksianët e arrestuar pas protestës në rrugën e Kombit.
Sipas Ademit, sot gjykata ka rastin të tregojë se është e drejtë duke liruar 11 të arrestuarit të cilët janë padrejtësisht në burg. Qytetarët po përballen me arbitraritetin e një qeverisje që vetëm për ata nuk mendon, ka shtuar më tej ajo.
Statusi i plotë:
“Drejtësia” ka rastin të tregohet e drejtë dhe të dalë mbi presionet politike.
11 qytetarë të mirë kuksianë prej shumë ditësh janë padrejtësisht në burg. Ata mund të ishin shkodranë, lezhjanë, vlonjatë, korçarë sepse të gjithë po vuajmë njësoj arbitraritetin e një qeverisje që vetëm për qytetarët nuk po mendon.
Jemi në një pikë kur duan të na privojnë edhe nga e drejta për të protestuar, për të folur kur dikush po na shtrëngon lakun në fyt ditë pas dite. Është e rëndë ta pranojmë, por janë hapat e parë të instalimit të asaj që menduam se e lamë pas në 1990-ën.
Heshtja jonë, indiferenca jonë e lehtëson mbijetesën e antivlerave. Por nuk do të heshim dhe nuk duhet të heshtim.
Gjykatat shqiptare, mes tyre edhe Gjykata e Apelit në Shkodër janë nën një presion shumë të madh politik. Por pikërisht kjo gjykatë ka rastin të tregohet e drejtë, të bëjë drejtësi për 11 kuksianet, 11 shqiptarët e varfër që po përballen me burgosje të padrejtë.
E dimë se është një sfidë jo e lehtë sepse e njohim të gjithë realitetin e rëndë që na është imponuar. Por nesër Gjykata e Apelit të Shkodrës ka mundësinë të ngjallë shpresën për të gjithë shqiptarët: Drejtësia në këtë vend nuk ka vdekur!