Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Aluizni kanë zbardhur shkeljet e gjetura me pronat në zonën e bregdetit, duke evidentuar për secilin rajon edhe specifikat përkatëse. Në qarkun e Shkodrës zona më e goditur mbetet Velipoja, aty ku rezultojnë një sërë rastesh problematike, të gjetur me shkelje që nisin nga viti 1992 e deri së fundmi, bëjnë me dije burime pranë këtyre dy institucioneve.
Task forca e ngritur për evidentimin e shkeljeve dhe krijimin e një raporti specifik bën me dije se rrugët e përdorura për paligjshmërinë janë disa.
Së pari: Pajisja me AMTP e të gjithë anëtarëve të familjes veç e veç. Së dyti: Pajisja me AMTP e personave apo familjeve që nuk kanë qenë në fshat në vitin 1991. Së treti: Ndryshimi i zërit kadastral të tokës në tokë bujqësore pa qenë e tillë. E së katërti: Lëshimi i AMTP-ve nga Komisionet vendore edhe pas vitit 2008, kur nuk mund të jepeshin më prej tyre.
Por cila është tipologjia e gjetur në bregdetin e Velipojës, më i madhi në veri të vendit: Në zonën e Shkodrës kryesisht në Velipojë janë vërejtur regjistrime të AMTP-ve të cilat janë dhënë për subjekte të cilat nuk kanë qenë objekt i trajtimit me tokë bujqësore sipas ligjit 7501, janë evidentuar raste kur çdo anëtar i familjes është trajtuar me AMTP të veçantë dhe këto AMTP janë regjistruar pranë Zvrpp.
Institucionet përgjegjëse në këtë rast janë: Njësia Administrative e cila ka dërguar dokumentacionin për regjistrim dhe Zyra Vendore e Regjistrimit e cila nuk ka kryer konfirmimet dhe hetimet administrative përkatëse por është mjaftuar vetëm me regjistrim. Mundësia e kryerjes së veprimeve korruptive është e lartë për sa kohë Njësive Administrative i është dhënë e drejta për konfirmimet dhe saktësimet e AMTP sipas V.K.M nr.994, datë 15.12.2015.
Këto kanë sjellë problematika shumë të forta, pasi nuk mund të evidentohet saktë pozicionimi i pronës dhe kufitarët e pasurive, fenomeni është problematik pasi do të krijojë mbivendosje pronash në momentin e kryerjes së regjistrimit fillestar sistematik të zonave.
Kryesisht institucionet e përfshira në veprime korruptive në lidhje me regjistrimet e AMTP, janë Njësitë Administrative, Këshilli i Qarkut dhe Zyrat Vendore të Regjistrimit, të cilat kanë detyrimin për verifikimin përfundimtar të akteve të marrjes së tokës në pronësi të përcjella për regjistrim.