Altina Xhoxhaj është anëtarja e katërt e Gjykatës Kushtetuese që përballet me procesin e vetingut pas Besnik Imerajt, Fatos Lulos dhe Vitore Tushës. Imeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor, por u referua nga Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit në Prokurori; Fatos Lulo u shkarkua nga detyra, ndërsa Vitore Tusha është e vetmja e rikonfirmuar deri më tani në detyrë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përfaqësuar nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Etleda Çiftja dhe Genta Tafa Bungo ka caktuar seancën dëgjimore me gjyqtaren Xhoxhaj më 23 prill.
E diplomuar në vitin 1994 në Fakultetin e Drejtësisë, Altina Xhoxhaj e filloi karrierën në gjyqësor një vit më vonë si gjyqtare e shkallës së parë në Tiranë. Në vitet 2006-2010 ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe në maj të vitit 2010 u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Paralelisht me detyrën si gjyqtare, Xhoxhaj ka edhe një karrierë të gjatë si akademike. Në vitet 1995-2000 ajo ka qenë pedagoge e jashtme në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Ekonomisë dhe prej vitit 2013 jep lëndën “E drejta tregtare” në Shkollën e Magjistraturës. Xhoxhaj është gjithashtu eksperte e trajnimit për gjyqtarë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Altina Xhoxhaj nga viti 2003 deri në vitin 2017.
Ky raport është prodhuar pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara tregojnë se gjyqtarja Xhoxhaj zotëronte në vitin 2003 një pasuri familjare me vlerë 15.4 milionë lekë. Ndërsa në vitin 2017, pasuria e saj ka kapur shifrën e 39.2 milionë lekëve ose 2.5 herë më e lartë.
Të ardhurat familjare të deklaruara nga znj. Xhoxhaj përgjatë viteve në detyrë vijnë nga disa burime. Pjesa kryesore e të ardhurave përbëhet nga paga si gjyqtare në 46.4 për qind dhe paga e familjarëve në 36.9 për qind. Vendin e tretë në portofolin e të ardhurave e zënë dhuratat në cash në 7.1 për qind, të ndjekura nga të ardhurat nga qiratë në 4.6 për qind dhe nga mësimdhënia në 2.5 për qind.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit dhe “flamujt e kuq’ që janë identifikuar gjatë kontrollit. Nga 14 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik për zonjën Xhoxhaj, 2 rezultojnë me probleme me shumë të pajustifikuar në vlerën e rreth 1.7 milionë lekëve.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar në këtë analizë është shuma e kursimeve familjare në cash, që referuar deklarimeve vit pas viti kap vlerën akumulative të 13.5 milionë lekëve në fund të vitit 2017.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë para fillimit të detyrës
Deklarata e pasurisë para fillimit të detyrës
Deklarata e pasurisë e vitit 2004
Deklarata e pasurisë e vitit 2005
Deklarata e pasurisë e vitit 2006
Deklarata e pasurisë e vitit 2007
Deklarata e pasurisë e vitit 2008
Deklarata e pasurisë e vitit 2009
Deklarata e pasurisë e vitit 2010
Deklarata e pasurisë e vitit 2011
Deklarata e pasurisë e vitit 2012
Deklarata e pasurisë e vitit 2013
Deklarata e pasurisë e vitit 2014
Deklarata e pasurisë e vitit 2015
Deklarata e pasurisë e vitit 2016
Deklarata e pasurisë e vitit 2017 /BIRN/