Drejtori i shërbimit të Zjarrfikësve ka reaguar lidhur me zjarrin që shkrumboi fabrikën e riciklimit në Kashar.
Në një prononcim për mediat nga vendi i ngjarjes, ai tha se po punohet që flakët të mos përhapen në bizneset e tjera, që kanë një vlerë të konsiderueshme.
“Zjarri ka rënë në një fabrikë, e cila vitin e kaluar është gjobitur për shkak të mosmarrjes së masave kundër zjarrit.
Tani për tani prioriteti i punës sonë është që të vemë nën kontroll flakët dhe të mos lejojmë përhapjen e zjarrit në bizneset pranë.
Më pas do të analizojmë gjithçka, që nga momenti i ndërhyrjes sonë deri në marrjen e masave nga kompania për të shuar zjarret”,- u shpreh kreu i zjarrfikësve.
Mësohet se kjo fabrikë është djegur edhe dy herë të tjera dhe zjarrfikëset i kanë vënë gjobë për shkak të mos marrjes së masave për parandalimin e zjarrit.