Një kilogram kokainë është sekuestruar në pikën kufitare të Kakavijës nga autoritetet greke pasditen e të dielës. Lënda narkotike ishte fshehur në autobusin e linjës Tiranë-Athinë e cila u gjet gjatë kontrollit të ushtruar nga pala greke.
Paraprakisht dyshohet se kokaina është marrë në Shqipëri dhe po trafikohej në drejtim të Greqisë. Bëhet me dije se ka nisur një verifikim për faktin se droga i ka shpëtuar kontrollit të palës shqiptare.
Pas hetimeve dhe kontrolleve të para në anën greke të kufirit, policia ka njoftuar se lënda narkotike ishte e fshehur në bagazhet personale të drejtuesve të autobusit. Mjeti i transportit të udhëtarëve mësohet se është në pronësi të një kompanie transporti greke. Ndërkohë autobusi drejtohej nga shtetasi grek me origjinë shqiptare, me iniciale T.I i cili është arrestuar.