Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritet të marrë sot vendimin për gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.
Gjyqtarja Xhoxhaj është anëtarja e tretë e Gjykatës Kushtetuese që shqyrtohet nga KPK-ja, pas gjyqtarit Fatos Lulo, i cili u shkarkua pasi nuk justifikonte dot pasurinë prej rreth 500 mijë dollarë, si dhe gjyqtarja Vitore Tusha, që rezultoi e pastër dhe ishte e para gjyqtare që kaloi me sukses vetingun. Gjithashtu, në ‘rrjetën’ e Vettingut kanë rënë dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva, dhe prokurorja e Prokurorisë së Shkodrës, Besa Nikëhasani.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Altina Xhoxhaj nga viti 2003 deri në vitin 2017.
Ky raport është prodhuar pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.
Të dhënat e analizuara tregojnë se gjyqtarja Xhoxhaj zotëronte në vitin 2003 një pasuri familjare me vlerë 15.4 milionë lekë. Ndërsa në vitin 2017, pasuria e saj ka kapur shifrën e 39.2 milionë lekëve ose 2.5 herë më e lartë.
Të ardhurat familjare të deklaruara nga znj. Xhoxhaj përgjatë viteve në detyrë vijnë nga disa burime. Pjesa kryesore e të ardhurave përbëhet nga paga si gjyqtare në 46.4 për qind dhe paga e familjarëve në 36.9 për qind.
Vendin e tretë në portofolin e të ardhurave e zënë dhuratat në cash në 7.1 për qind, të ndjekura nga të ardhurat nga qiratë në 4.6 për qind dhe nga mësimdhënia në 2.5 për qind.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit dhe “flamujt e kuq’ që janë identifikuar gjatë kontrollit.
Nga 14 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik për zonjën Xhoxhaj, 2 rezultojnë me probleme me shumë të pajustifikuar në vlerën e rreth 1.7 milionë lekëve.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar në këtë analizë është shuma e kursimeve familjare në cash, që referuar deklarimeve vit pas viti kap vlerën akumulative të 13.5 milionë lekëve në fund të vitit 2017.