Kushdo që ëndërron drejtësi nga Gjykata e Lartë, nuk ndodhet në vitin 2018, por në vitin 2014, kohë në të cilën ka ngecur stoku i dosjeve civile që presin të shqyrtohen.
Nga viti në vit qytetarët jo vetëm nuk po gjejnë zgjidhje, por situata po përkeqësohet. Zvarritjet rëndojnë mbi interesat e qytetarëve. Megjithëse situata u trashëgua në këtë gjykatë gjatë 10 viteve të fundit, ku nga 9 mijë dosje që prisnin të shqyrtoheshin, tashmë gjithçka ka dalë jashtë kontrollit.
Aktualisht në këtë gjykatë janë nëntë gjyqtarë, ndërsa kolegjet marrin gjyqtarë borxh nga njëra-tjetra për të zhbllokuar. Në vitin 2017 stoku u rrit muaj pas muaji duke e futur Gjykatën e Lartë në gjendje kritike.
Aktualisht, Gjykata e Lartë numëron 11 mijë çështje të mbaruara që prej vitit 2016.
Arkiva e Gjykatës së Lartë është tejmbushur nga 20 mijë dosje që presin për t’u gjykuar.
Por stoku vijon në rritje edhe për 2018. deri në fund të muajit mars janë regjistruar si dosje në pritje për t’u shqyrtuar 23 mijë e 900. Kryesojnë civilet për të cilat pritet të gjykohen dosjet e dorëzuara në vitin 2014, më tej administrativet që i përkasin 2015 dhe penalet që janë në pritje për vitin 2016.
Me një llogari të thjeshtë, kushdo që dorëzon sot një rekurs civil apo administrativ, duhet të qëndrojë në radhë e të presë, ai do ta marrë drejtësinë në 2022.