Botërori po afrohet. Na ndajnë vetëm 48 ditë nga fillimi i Kupës së Botës që do të zhvillohet në Rusi. Në finalen e Botërorit 2014, mes Gjermanisë dhe Argjentinës, qëndruan para ekranit 1 miliard persona.
Siç bën të ditur “Milano Finanza”, këto shifra e bëjnë kampionatin botëror një ndër momentet më të shumëpritura nga sponsorët, por pse jo, edhe nga stilistët. Shpresa që këto të dhëna të konfirmohen – apo të rriten – vjen nga kompanitë e mëdha të veshjeve sportive – që në total kanë investuar rreth 500 milionë euro për sponsorizimin e veshjeve sportive të gjithë skuadrave kombëtare të botës.
Adidas, Nike, në krye të sponsorizimeve… ndiqen nga Puma
Në këtë edicion, Adidas dhe Nike kanë bërë gjithçka për të qenë sponsorë të klubeve më të forta: mjafton të mendosh marrëveshjet prej 50 milionë eurosh në vit me Gjermaninë (Adidas) dhe 43 milionë euro në vit me Francën (Nike).
Nuk është rastësi që në mesin e tetë formacioneve më të forta që zakonisht aspirojnë për të fituar Kupën e Botës, katër – Argjentina, Belgjika, Gjermania dhe Spanja do të kenë sponsor kompaninë gjermane, Adidas – kurse katër të tjerat – Brazili, Franca, Portugalia dhe Anglia do të kenë sponsor kompaninë amerikane të veshjeve sportive, Nike.
Pak më poshtë është Puma (sponsor i Italisë, e cila këtë vit nuk merr pjesë në Botërorin Rusi 2018, me rreth 19 milionë euro në vit), e cila i ka shpresat te Zvicra dhe Uruguai. Në total, kompanitë që do të marrin pjesë në Botëror janë tetë për 32 Kombëtare. Kryeson Adidas, sponsor për 12 kombëtare, Nike (10) ndjekur nga Puma (4) dhe New Balance (2). Me vetëm një skuadër përfaqësohen Umbro (Peru), Hummel (Danimarkë), Uhlsport (Tunizi) dhe Erreà (Islandë).
Por futboll nuk do të thotë vetëm veshje teknike. Përkundrazi, sytë janë të orientuar gjithnjë e më shumë drejt stilit. Nuk është rastësi që Nike i ka besuar stilistit Simon Porte Jacquemus për të dizajnuar fanellën e bluve të Francës. Ndërsa Adidas ka zgjedhur stilistin rus, Gosha Rubchinskiy. Nuk mund të mungonte as stilisti belg, Dirk Bikkembergs.