×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Europa ime: Si u përballa me të shkuarënEuropa ime: Si u përballa me të shkuarën

Diel, 29 Prill 2018 14:05

 

Nga Carmen-Francesca Banciu

 

Përballja me të kaluarën nuk është e lehtë. Gjermanët, mendon shkrimtarja, Carmen-Francesca Banciu e kanë bërë këtë, ata e kanë pranuar dhe e kanë shlyer fajin.


Këtë pranverë, kur u botua romani im "Lamtumirë ju shokë dhe të dashur" duke i dhënë fund një trilogjie m'u bë e qartë, se ky projekt letrar ishte forma ime për t'u përballur me të shkuarën. Përballjen me të shkuarën e kam mësuar në Gjermani. Nuk njoh vend tjetër, që është ballafaquar me kaq kritikë dhe vetëkritikë, me kaq rigorozitet dhe i është drejtuar kaq pa mëshirë pasqyrës për të njohur veten duke u përballur me të shkuarën megjithë dhimbjen.
E shkuara gjermane dhe ballafaqimi me të janë tema që më kanë interesuar që me ardhjen në Berlin. Asokohe euforia e rënies së diktaturës ishte e madhe. Gjermania sapo ishte bashkuar. Diktaturat në Linde ishin rrëzuar. Era e lirisë frynte nëpër Europë e për një moment të dukej sikur historia po fillonte nga e para. Me një Republikë federale të re. Berlini më dukej vendi ku kjo histori mund të shkruhej nga e para. Nga ky këndvështrim e shikoja historinë e vendit, kur kisha mbërritur dhe doja ta kuptoja.
Gjermanët dhe çështja e fajit
Në shkollë kishim mësuar pak për historinë e Republikës Federale të Gjermanisë  Fokusi nuk ishte tek e shkuara naziste, por nga pikëpamja e ideologjisë partiake, tek sistemi politik, armiku me emrin perëndim. Mësonim për armikun e klasës, Gjermania Federale dhe si kundërpeshë kishim Republikën Demokratike Gjermane, RDGJ. Holokausti ishte pjesë e programit mësimor, por trajtohej vetëm sipërfaqësisht.
Në Berlinin e viteve 90-të ballafaqimi me të shkuarën ishte tejet aktual. Në kohën e sulmit të Irakut ndaj Izraelit dhe Luftës së Gjirit me raketa Scud, kjo temë bënte që të ndizeshin emocionet. Në  rrugë, në shtyp, në institucione kulture debatohej. Sidomos për nevojën dhe domosdoshmërinë e pranimit të fajit dhe gatishmërinë për shlyerjen e tij, debatohej për rolin e rezervuar të Gjermanisë në lidhje me përfshirjen në luftë dhe qëndrimin e lëvizjes pacifiste kundrejt sulmit ndaj Izraelit. Debatohej për përgjegjësinë e Gjermanisë kundrejt Izraelit.
Në një takim në Shtëpinë e Letërsisë mes autorëve izraelitë dhe Günter Grass u shkallëzua grindja jo vetëm mes pjesëmarrësve në podium, por edhe në publik. Sidomos akuza e shkrimtarit Yoram Kaniuks, se Gjermania nuk është e gatshme tërësisht për shlyerjen e fajit dhe kërkon të kthehet shpejt tek normaliteti bëri që publiku të mbrohej me zë të lartë për marrjen e përgjegjësisë për veprat e gjyshërve. Debatet u transferuan pastaj në shtyp e shoqëri se cila është përgjegjësia e një vendi për paqen dhe drejtësinë.
Fajtori në kopshtin e fqinjit
Hap pas hapi m'u bë e qartë, se sa i fuqishëm dhe i thellë ishte ky ballafaqim me të shkuarën në Gjermani dhe sa shembullor deri në ditët e sotme. Se sa e angazhon kjo shoqërinë dhe sa i rëndësishëm është ky angazhim. Në publik, në shkolla, në institucione, në politikë, në shtyp apo jetën private. E është pasojë e kësaj përballjeje kritike me veten, që Gjermania është sot një nga shoqëritë më të hapura dhe moderne. Dhe jo më kot të rinjtë nga e gjithë bota i tërheq si magnet Berlini, ku ndjejnë frymën e lirisë dhe të hapjes.
Më shumë se 70 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kjo përballje nuk ka marrë fund. Krahas kësaj ende nuk ka filluar ballafaqimi me kohën e pas luftës, përballja me arsyet e ndarjes dhe sidomos me pasojat e saj. Deri më tani kemi vetëm një distancim nga koha e SED-së. Por kjo është një metodë të shtysh fajtorin në kopshtin e fqinjit. Gjermania është sërish e bashkuar, siç e dëshironin gjermanët. Prandaj nuk mund ta mënjanosh më vështrimin e historisë së RDGJ-së dhe Republikës Federale si një të tërë. Sepse zhvillimet e ndryshme historike në Lindje dhe Perëndim kanë lindur nga pasojat e një të ardhmeje të përbashkët.
Fëmijë të një nëne
Pa kohën para luftës dhe krimet e nacionalsocializmit nuk do të kishe ndarje. Dhe: Edhe pse binjakët janë zhvilluar ndryshe, ata mbeten fëmijë të një nëne. Prandaj nuk mund të ndjehet superior as Perëndimi dhe as Lindja. E rëndësishme është përpjekja e drejtpeshuar e serioze e të dyja palëve për përballjen me të shkuarën. Ka ardhur koha që të shkuarën ta vështrojmë në të gjithë kompleksitetin e saj dhe të mësojmë nga ajo. Jo për fitues dhe humbës, jo për të drejtën e të padrejtën, por për përpjekjen e vërtetë për të zgjidhur lëmshin e kauzaliteteve dhe varësive që të mundësohet shërimi i dy pjesëve për t'u rritur bashkë në një organizëm të shëndetshëm. Vetëm kur të ndodhë kjo, vëllezërit nuk do ta shohin më njëri-tjetrin si vëllezër të njerkës, por do ta ndihmojnë e pranojnë atë për të jetësuar bashkë të gjitha vendimet politike.
 
Carmen-Francesca Banciu ka lindur në Rumani. Nga nëntori 1999 ajo jeton si shkrimtare në profesion të lirë dhe jep seminare për shkrimin letrar. Nga viti 1996 ajo shkruan në gjermanisht. Së fundmi u botua prej saj "Erë e lehtë në parajsë" dhe në mars romani "Lamtumirë ju shokë dhe të dashur". DW

Modifikuar më Diel, 29 Prill 2018 14:26
Login to post comments