Disa nga habitatet më të paprekura të Europës sot janë nën një kërcënim serioz, tsunamin e digave, pra hidrocentraleve. Digat do të thajnë shumë lumenj duke shkatërruar ekosistemet në të vetmin vend të paprekur të Europës, në Ballkan.
Shqipëria është një ndër vendet e kërcënuara. Në të gjithë Ballkanin, do të ndërtohen rreth 3000 hece, pra 3000 diga. Një fushatë e re, që titullohet “shpëtoni zemrën blu të Europës”, e ka marrë mjaft seriozisht këtë çështje dhe madje ka përgatitur një film-dokumentar për këtë.
Aktivistët pretendojnë se, ndërtimi i këtyre digave në Ballkan do të shkatërrojë thuajse tërësisht jetën e egër në këto zona, duke kërcënuar më shumë se 30 specie peshqish, që janë aktualisht në listën e specieve në rrezik.
Madje, sipas tyre, nën kërcënim është edhe Salmoni i Danubit. Edhe rrëqebulli i Ballkanit është në rrezik dhe gjendet në Shqipëri dhe Maqedoni kryesisht. “Këto diga mund të shkatërrojnë lumin më të madh dhe të fundit të egër në Shqipëri”-thonë aktivistët.
Pasojat që do të rrjedhin nga ndërtimi i këtyre digave mund të shkaktojnë edhe zhvendosje të popullsisë nga zona të caktuara.
“Nuk është shumë vonë që të ndalohen këto projekte shkatërrimtare në rajon”-këmbëngulin aktivistët. Burimet ujore në Ballkan vlerësohen si më të pastrat dhe më të shëndetshmet në Europë, pra e kundërta e Europës.
Integrimi në Bashkimin Europian bën që vendet kandidate të shtojnë përpjekjet për energji të rinovueshme, gjë që përkthehet në më shumë diga dhe hece. Në Shqipëri planifikohet të ndërtohen rreth 300 hece të vegjël, mbi lumenj si ai i Valbonës, apo Vjosës.