22 vjet Bashki Kamëz, Xhelal Mziu mbledh ish-kryebashkiakët, shpallen “Qytetar Nderi”

Hënë, 30 Prill 2018 19:55

Historiku, zhvillimi i qytetit të Kamzës dhe transformimi ndër vite. Flasin ish kryebashkiakët Agim Cani dhe Rruzhdi Keçi, (ish-kryetari i komunës Pëllumb Lepi), të cilët u shpallën “Qytetar Nderi” së bashku me Fran Gjinin si dhe prefektja e Tiranës znj.Suzana Jahollari

Bashkia Kamëz ka mbushur sot 22 vjeç. Përmes një ceremonie festive e cila në fakt ka nisur që më 29 prill me koncertin e shkollave te Pallati i Kulturës, Kampionatin e Karatesë, Paradën e festivalistëve dhe atë Multikultutor, ajo ka kulmuar sot (30 prill) me ceremoninë zyrtare ku të ftuar ishin përpos shumë qytetarëve të nderuar dhe kontribuues ndër vite në Kamëz edhe Prefektja e Tiranës znj.Suzana Jahollari dhe ish-drejtuesit vendorë në Kamëz, Pëllumb Lepi, Rrushdi Keçi, Fran Gjinim, Agim Cani të cilët u shpallen “Qytetar Nderi” i Kamzës, si dhe kryebashkiakët në detyrë kolegë të kryebashkiakut Xhelal Mziu përfaqësues të së majtës dhe të djathtës në pushtetin lokal. Në këtë ceremoni kanë marrë titullin “Mirënjohja e Qytetit” Rexhep Uka ish ministër Bujqësie dhe zv/kryeministër, Shaban Uka volejbollistë, Sejdin Çela kampionë në 10 garësh në atletikë, artistët e skenës; Ema Qazimi dhe Besim Zekthi dhe dhjetra personalitet të tjera në mjaft fusha që kanë dhënë një kontribut të çmuar për Kamzën ndër vite. Ceremonia e sotme ka nis që herët në mëngjes me përfaqësues të parlamentit Rinor të cilët ishin të pranishëm në sallën e Këshillit Bashkiak në një aktivitet me këtë rast dhe ka vijuar më pas me hapjen e ceremonisë zyrtare nga kryetari Xhelal Mziu me pas e shoqëruar më lëvizjen e bandës frymore në qytet si dhe lëvizjen prezantuese te pedonalja për të vijuar më pas me finalizimin e ceremonisë zyrtare në pallatin e Kulturës. Sikurse dhe më parë në hapjen e ceremonisë tek shkallët e Pallatit të Kulturës dhe në ceremoninë zyrtare brenda ambienteve të pallatit, kryebashkiaku Xhelal Mziu bëri një prezantim të shkurtër të asaj çfarë ka ndodhur në Kamëz gjatë viteve post-tranzicion. Duke falënderuar paraardhësit e tij për punën e bërë në krye të bashkisë dhe drejtimit e punëve të qytetit zoti Mziu pohoi se pavarësisht asaj që qe bërë më parë zhvillimet në qytet morën vrull dhe sot qyteti ka ndryshuar rrënjësisht.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Xhelal Mziu tha: -“Ju falënderoj përzemërsisht për praninë në festën e qytetit tonë, Kamza! Dua të falënderoj prefekten e Tiranës, ish-kolegët e mi kryebashkiakë të qytetit të Kamzës, kryetarët e këshillave bashkiakë, përfaqësues të pushtetit qendror, këshilltarë të sotëm e të viteve të kaluara dhe të gjithë ata që për shumë arsye nuk patën mundësi për të qenë të pranishëm këtu! Ndërkohë, gjej rastin për t’u kërkuar ndjesë të gjithë atyre, të cilët për arsye jo të dëshirës nuk patëm mundësi për t’i ftuar apo janë harruar nga stafi i Bashkisë!”

Në vijim të fjalës së tij z.Mziu shtoi se: -“ Kamza ka pasur edhe simbolikën e saj, ka pasur edhe Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës ka pasur edhe minatorët e Valiasit, të cilët u bënë promotorë të ndryshimit të sistemit në vitet ‘90. Unë ndihem shumë krenar dhe i gëzuar që kam drejtuar Bashkinë e Kamzës, si një qytetar i viteve `90. Besoj që Kamza ka pozicionin më të mirë gjeografik në Shqipëri dhe pozicioni i saj, mikpritja e këtyre qytetarëve të mrekullueshëm të Kamzës, të Valiasit, të Laknasit dhe të Babrroit bëri që të gërshetohet jo vetëm pozicioni gjeografik, por edhe mikpritja për ta kthyer nga një zonë bujqësore e rurale në një qytet, madje në qytetin më të ri të Shqipërisë, pse jo, edhe më gjerë dhe sot Kamza nuk është më si dje, jo vetëm për shkak të numrit të popullsisë, nga e cila është e gjashta në Shqipëri, por edhe për shkak të zhvillimit të vrullshëm të saj. Dhe ky zhvillim i vrullshëm i qytetit ka vetëm një autor: qytetarët e saj. Qytetarët e Kamzës janë mbi mesataren e Shqipërisë. Janë njerëz, të cilët përmes vuajtjes, ambicies, imigrimit të brendshëm e të jashtëm bënë që të harrohej Kamza bujqësore e të kthehej në qytet”.

“Sot Kamza ka një diversitet të jashtëzakonshëm kulture, zhvillimi, jo vetëm nga krahinat nga kanë ardhur, por edhe për shkak të punësimit të tyre që ata kanë pasur në vendet e Bashkimit Evropian. Sot në çdo lagje që të shkosh, mahnitesh nga ndërtimet të cilat janë bërë me djersën e tyre, duke sfiduar të kaluarën e tyre. Ju jeni dëshmitarë të viteve `95-96, kur rrjetet më të fuqishme, “Euroneës” etj., jepnin ndërtimet informate me plasmas, me dërrasa dhe ky ndryshim ka ndodhur vetëm për këtë arsye, vetëm për shkak të qytetarëve. Por nuk mjafton për ta bërë një qytet kontributi i qytetarëve. Duhej bërë edhe një kombinim i qeverisjes vendore, ku unë duhet të falënderoj z. Lepi, z. Keçi, z. Gjini në mungesë, z. Cani, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në krijimin e këtij qyteti. Nuk mund të lë pa përmendur qeveritë shqiptare, të cilat kanë kontribuuar në infrastrukturën e munguar të qytetit, veçanërisht qeverinë “Berisha”, i cili hodhi themelet e vërteta të një qyteti, me urbanizmin e saj, me infrastrukturën arsimore, shëndetësore, rrugore, të ujësjellësit dhe të kanalizimeve. Kamza nuk është më si dje, falë këtyre aktorëve. Ka pasur edhe të tjerë kontribuues. Dua të përmend Co-Planin, i cili ka hedhur kornizën e ngritjes së një qyteti. Dua të përmend donatorë të tjerë vendas, por nuk mund të lë pa përmendur edhe kontributin që kanë dhënë donatorët më të mëdhenj sot në botë, siç është Banka Botërore, Komisioni Evropian, USAID-i, OSBE etj., të cilët kanë kontribuuar financiarisht, por edhe në konsulencë, për ta ndryshuar këtë qytet, për ta sjellë në standardet që ai duhet të ketë. Ndërkohë, ka edhe mjaft aktorë të tjerë, të cilët kanë kontribuuar, por unë nuk dua të bëhem i bezdisshëm, por sot Kamza është më ndryshe”-tha z.Mziu.  Më tej Xhelal Mziu theksoi se : -“Sot Kamza ka arsim, infrastrukturë arsimore të standardeve të Bashkimit Evropian. Sot Kamza ka infrastrukturë rrugore jo vetëm të pakrahasueshme me të kaluarën, por konkurruese edhe me qytetet e tjera historike. Sot Kamza ka një pallat kulture, të cilin e kanë zili edhe qytetet e tjera mijëvjeçare të Shqipërisë. Sot Kamza ka sportin që është jo vetëm në Superligë, por po i jep edhe një dimension tjetër sportit dhe imazhit të qytetit. Ajo çfarë është e rëndësishme për mua dhe për secilin është imazhi i qytetit. Sot qyteti i Kamzës është një imazh pozitiv jo vetëm për Kamzën, por edhe më gjerë. Mjafton po të shkosh te një punëdhënës, të gjithë kërkojnë për të pasur njerëz nga Kamza, sepse janë më vitalë, janë më të rinj, janë më energjikë dhe janë më të besueshëm. Dhe jo më kot sot është kthyer në një treg punësimi, të ardhjes së kompanive të huaja, ndaj dhe sot Kamza ka ndryshuar”. “Unë edhe një herë gjej rastin për t’ju falënderuar përzemërsisht për pjesëmarrjen dhe për të përgëzuar, jo vetëm në emrin tim, por edhe më gjerë, qytetarët e Tiranës të cilët hapën dyert e tyre në vitin `90, për të falënderuar për kontributin që kanë dhënë qytetarët e tjerë të cilët kanë ardhur nga vendet e tyre, sepse me kontributin e tyre sot ka marrë këto dimensione qyteti i Kamzës dhe inkurajoj çdo qytetar të Kamzës për të punuar edhe më shumë për të vendosur edhe një tullë më tej në imazhin pozitiv të qytetit. Edhe një herë ju falënderoj dhe ju uroj festë të mbarë!”- përfundoi fjalën e tij kryebashkiaku Xhelal Mziu.

Në fjalën e saj prefektja Suzana Jahollari theksoi se: -“Kamza është në një ditë të veçantë, një ditë përvjetori. 22 vite nuk janë shumë, por nuk janë as pak për një qytet të ri siç është edhe Kamza. Pasi dëgjova gjithë ato fjalë të mira dhe duke parë zhvillimin e Kamzës në vite, janë të tepërta fjalët e mia për çfarë ndryshimi dhe çfarë zhvillimi ka pësuar Kamza dhe në të vërtetë ka ndryshuar shumë. Ka zhvilluar shumë anë dhe aspekte të jetës së saj. Ai mesazh që japim ne sot, edhe unë nëpërmjet institucionit të Prefektit që përfaqësoj, është që të gjithë së bashku të punojmë shumë, të përpiqemi shumë që të rritim cilësinë e jetës sonë. Dhe institucioni i Prefektit e ka për detyrë për të gjithë, sepse është për të gjithë qarkun, për të gjitha bashkitë, për të gjitha institucionet e pushtetit vendor; t’i organizojë, t’i kontrollojë, t’i monitorojë dhe të bashkëveprojë, me qëllimin e vetëm për të siguruar zbatimin e programit të qeverisë e për të rritur cilësinë e jetës, sepse gjithçka që flasim ne, që bëjmë ne, duhet të konvergojë në një qëllim: të rritim cilësinë e jetës. Dhe unë ju uroj shumë në këtë ditë përvjetori dhe e përgëzoj kryetarin e Bashkisë dhe e uroj për këto suksese që ai ka realizuar në drejtimin dhe qeverisjen e Bashkisë së Kamzës”.

Në këtë takim folën dhe ish kryetarët e bashkive të pranishëm në këtë takim. Ish-kryetari i Bashkisë (1996-2000) z. Ruzhdi Keçi tha se: -“Unë ndihem edhe i nderuar, por edhe i emocionuar që po flas para jush. Erdha kryetar Bashkie në moshën më vitale, 43 vjeç, dhe sot jam këtu, në epilogun e jetës, në prag pensioni, dhe shoh që kanë rrjedhur goxha vite. Natyrisht, si kryetar i parë, të paktën formalisht si Bashki, pata edhe nderin të drejtoja këtu, por edhe përgjegjësinë e madhe, aq më tepër për kohën në të cilën unë isha kryetar. Dhe, kur shoh sot Kamzën, në njëfarë mënyre, dua të jem i sinqertë, them që paskam ndenjur kot, s’paskam bërë asgjë kur kam qenë katër vjet këtu. Dhe, sot, natyrisht, më bëhet zemra mal kur shoh të gjitha ndryshimet që ka Kamza dhe renditet në bashkitë më të rëndësishme të Shqipërisë dhe, në retrospektivë, gjithmonë i kthehem asaj që ka mbetur në memorie, asaj Kamze që unë gjeta në `96-n, që thashë edhe një herë nuk ka krahasim me sot”. Zoti Keci falënderoi kryetarin e Bashkisë, jo vetëm për punën që ka bërë, por edhe për këtë 22-vjetor, për këtë iniciativë që po merr Bashkia, për ta kthyer në një festë lokale, për t’u festuar çdo vit në përvjetorët e ardhshëm. “Natyrisht, kemi qejf që të jemi sa herë që të ketë përvjetor. Po qe se Zoti e ka thënë, kam qejf që të jem edhe në 122-vjetorin e kësaj Bashkie”- tha z.Keçi. Edhe kryebashkiaku Agim Cani vlerësoi punën e bërë nga stafi i tij në kohën që drejtonte bashkinë duke i cilësuar profesionistë të zotë sikurse evidentoi dhe ndryshimet e ndodhura nën mandatin e Xhelal Mziut prej vitit 2007. Sipas z.Cani Kamza ka ndryshuar rrënjësisht dhe kjo është meritë e lidershipit dhe administratës së bashkisë. Të njëjtin vlerësim bëri dhe ish kryetari i komunës Pëllumb Lepi).

Historiku dhe zhvillimi i qytetit të Kamzës/Kamza ka qenë një fushë, e cila në pjesën më të madhe të kohës ishte e përmbytur nga ujërat, si rrjedhojë ka qenë një zonë jo shumë e populluar. Para disa shekujsh, tokat e Kamzës kishin kryeqendër Prezën. Rreth viteve 1250 të erës sonë, ngulimet në zonën e Kamzës ishin rreth brigjeve të lumenjve të Tiranës e Tërkuzës, periudhë kjo në të cilën zotër të këtyre tokave ishin Tanush e Karl Topia. Në vitin 1431 del në dritë emri Kamëz. Dëshmitë e arritura deri në ditët tona pohojnë se në tokat e Kamzës kishte shumë ullinj të egër. Rreth trungut mbinin filiza që thirreshin kamza ulliri. Për këtë arsye tokat midis lumit të Tiranës dhe Tërkuzës u quajtën Kamza. Në vitin 1700 filluan të shtoheshin shtëpitë me fshatarë që zbrisnin nga malësitë.  Pas Çlirimit, Kamza u formua në fillim si një ekonomi shtetërore me karakter kooperativist dhe pas reformës agrare, Kamza u bë një nga ndërmarrjet bujqësore më të mëdha në Shqipëri. Kjo ndërmarrje është njohur me emrin ndërmarrja bujqësore “Ylli i kuq” dhe shërbente si furnizuesja kryesore e kryeqytetit me prodhime të ndryshme bujqësore dhe blegtorale. Kjo periudhë vazhdoi rreth 45 vjet. Pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, edhe Kamza pësoi ndryshime shumë të thella demokratike. Në vitin 1991, në Kamëz vendoset Komiteti i parë Pluralist, ku pushteti vendor drejtohej me balancë politike të të dyja forcave kryesore të atëhershme. Në vitin 1992, për herë të parë, si në gjithë Shqipërinë, u zhvilluan zgjedhjet e para demokratike, si për pushtetin qendror dhe atë lokal. Në atë kohë në Kamëz regjistroheshin vetëm 6000 banorë.  Më 30 prill 1996, me një vendim të Këshillit të Ministrave, Kamza ndryshon emërtimin nga komunë në bashki. Ky moment shënon edhe krijimin e institucionit Bashkia Kamëz.

Transformimi rrënjësor i Kamëz nga 2007, Bashkia sot ka mbi 140 mijë banorë/Kamza ka pësuar ndryshime rrënjësore e ndoshta do duhen faqe të tëra për të numëruar arritjet, ose projektet e realizuara. Krahasuar me vitin 2007, realiteti është krejt ndryshe. Kamza është ndër qytetet e para që miratoi planit urbanistik, qyteti i vetëm me sistem të plotë adresash ku janë emërtuar mbi 505 rrugë dhe është gati për implementimin e ZIP-KOD-it. Janë asfaltuar me qindra e qindra km rrugë, janë shtrirë me qindra rrjet të ujësjellës-kanalizimeve duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm. U mundësua mbyllja e fazës së parë të projektit të ujësjellës-kanalizimeve nga banka gjermane KfË, dhe së shpejti fillon implementimi i fazave te tjera. Mbi 70% e popullsisë kanë rrjet të ri ujësjellësi dhe furnizim me ujë. Është mundësuar edhe shtrirja e rrjetit të furnizimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike 20 kv mbi 70% të popullsisë. Janë ndërtuar 18 objekte shkollore (shkolla dhe kopshte) me standarde evropiane. Bashkia ka ndërtuar Pallatin modern të Kulturës për të rinjtë dhe të gjithë qytetarët një nga më të mirët në vend. U ndërtua stadiumi i qytetit si dhe palestra moderne e basketbollit në Bathore.  Është ngritur qendrën e shërbimeve ndaj qytetarëve, One Stop Shop, më e mira në Shqipëri, e vlerësuar nga ndërkombëtarët si praktika më e mirë e qeverisjes vendore. Është 4-fishuar numri i bizneseve falë taksave të ulëta dhe klimës së mirë të krijuar, gjë që ka mundësuar edhe punësimin e mijëra qytetarëve. Bashkia Kamëz ka pasur një paketë fiskale konkurruese dhe stimuluese për zhvillimin e biznesit gjë që ka çuar në rritjen e numrit të të punësuarve me mbi 10 mijë veta ku një ndihmë ka dhënë sektori fason. Të ardhurat e Bashkisë janë mbi 10-fishuar krahasuar me vite më parë. Kamza sot është një qytet i pastër me makineri pastrimi bashkëkohore dhe kontejnerë të standardeve evropiane. Është mundësuar shtrirja e linjës së telefonisë fikse dhe internetit në gjithë territorin e Kamzës. Të tjera projekte janë në zbatim jo vetëm ndërtimin e qindra km rrugë dhe KUZ, por dhe qendra e qytetit të Kamzës bashkë me pedonalen, rehabilitimi i Qendrës së Babrrusë etj.

Modifikuar më Hënë, 30 Prill 2018 20:17
Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...