Njëri nga katër shqiptarët, i arrestuar në Itali për trafikimin e dy tonëve marijuanë, nuk është emër i panjohur për policinë tonë.
Saimir Çarku, nga Kavaja është një nga katër trafikantët e arrestuar këtë të hënë gjatë operacionit të Guardia Di Finanza në Adriatik ku u sekuestruan 2 ton marijuanë. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Policisë së Shtetit.
Emri i tij, nuk është i panjohur për policinë shqiptare, pasi prej muajsh ai është shpallur person në kërkim, për shkak se dyshohet si anëtar i një rrjeti të fuqishëm trafiku droge nga Shqipëria drejt vendit fqinj.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda, Çarku rezulton të jetë i përfshirë në episodin e datës 14 korrik 2017, ku në fshatin Bago të Kavajës, u sekuestrua një sasi prej 1360 kg hashash.
Asokohe u tha se droga ishte ndarë në dy automjete dhe gjatë kërkimeve në “Plazhin e Gjeneralit” u zbulua dhe skafi me të cilin do të trafikohej sasia e madhe e lëndës narkotike drejt shtetit fqinj.
Në pranga përfunduan Kejvi Hajdari, djali i ish-shefit të krimeve në Gramsh, Artur Hajdari, Ronald Hysenbelliu, Aristotel Kasaj dhe Arvis Muca, por i fundit u lirua me vonë.
Nga hetimi i prokurorisë, si anëtarë të këtij grupi kriminal u identifikuan dhe katër persona të tjerë, mes tyre edhe Çarku, të cilët u shpallën në kërkim me vendim të gjykatës për Krime të Rënda.
Me metodat specialet të hetimit, prokuroria mundi të “kryqëzonte” të dyshuarit, pasi siguroi ndaj tyre, prova të shumta fajësie.
E ndërsa prokurori Dritan Prenci po vijon hetimet për të hedhur dritë mbi të gjithë aktivitetin kriminal të grupit. Saimir Çarku përfundoi në pranga gjatë operacionit me të fundit antidrogë të Guardia Di Finanza.
Lidhur me këtë operacion, mediat italiane raportuan se lënda narkotike ishte ngarkuar në një mjet lundrues në Shqipëri dhe kishte destinacion tregun italian. Operacioni u zhvillua gjatë natës në det, dhe pas disa minuta ndjekje, autoritetet italiane arritën të bllokonin mjetin pranë Salentos.
Përveç sasisë së madhe të drogës, 4 shqiptarëve iu sekuestrua edhe një kallashnikov.
Katër të dyshuarit, ku deri më tani është mësuar vetëm identitetit i njërit prej tyre, konkretisht i të shumëkërkuarit Saimir Çarku, do të përballen me drejtësinë italiane për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike./news24