Në datat 25-27 prill 2018 u mbajt në Helsinki, Finlandë, sesioni i pranverës i Grupit të Punës së EUROSAI-t (WGEA) mbi Qeverisjen Mjedisore.
Në këtë seminar morën pjesë mbi 30 SAI, kryesisht Europiane. Seminari organizohej nga SAI-Estonisë dhe SAI-t pjesëmarrëse ishin Gjykata Europiane e Audituesve, Irlanda, Letonia, Rumania, Spanja, Suedia, Shqipëria, Maqedonia, Estonia, Lituania, Bullgaria, Anglia, Gjermania, Norvegjia, Polonia, Austria, Qipro, Greqia, Meksika, Sllovenia, Sllovakia, Hollanda, Franca, Republika Çeke, Belgjika, si dhe të ftuar nga Gjykata Braziliane e Audituesve, Drejtoria e Përgjithshme për Mjedisin, Ministria e Mjedisit të Finlandës e të tjerë. Gjatë këtij seminari u diskutua se si auditimet me qëllim menaxhimin mjedisor të kryhen prej SAI-ve përkatëse, duke vënë theksin tek zhvillimi i qëndrueshëm, informimi, konsultimi dhe pjesëmarrja e publikut.
KLSH u përfaqësua në këtë aktivitet nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, z.Sazan Guri, ekspert i mjedisit dhe z. Hektor Kosova, auditues. Konferenca filloi me disa përshëndetje nga përfaqësuesit kryesorë të SAI-ve evropiane, nga Audituesi i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Finlandës, zj. Tytti Yli-Viikari, Audituesi i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Estonisë, z. Janar Holm si dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj, Më pas, sesioni vazhdoi me prezantimin e përfaqësueses së ECA-s, znj. Vivi Niemenmaa, e cila parashtroi temën “Konceptet kryesore në zhvillimin e qeverisjeve mjedisore’, ku me shembuj të shumtë u sollën figura, skema dhe shembuj për ilustrimin e këtij koncepti. Më pas, prezantimet vazhduan me një koncept tjetër, po aq të domosdoshëm në qeverisjen mjedisore, si ai i ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM, kumtesë që u mbajt nga përfaqësuesi i SAI-t të Finlandës, znj.Annika Lindblom. Sesioni i paradites u mbyll me një prezantim tjetër, po për zhvillimin e qëndrueshëm, i sjellë kësaj radhe me raste praktike nga Finlanda, i cili u mbajt nga këshilltari i Kryeministrit të Finlandës, duke u fokusuar në veprat e fundit kombëtare deri në axhendën 2030 të Qeverisë së Finlandës.
Sesioni i pasdites i filloi punimet me një panel-debat lidhur me informimin, konsultimin, përfshirjen e publikut deri në procesin e vendimmarrjes, ku dy grupe të përbërë nga dy persona, respektivisht pro e kundër diskutuan mbi mundësitë dhe arsyet, sesi mund të zbatohet Konventa Aarhuz. Në këtë panel mori pjesë aktive në njërin prej këtyre dy grupeve, edhe përfaqësuesi i KLSH-së, Prof. Dr.Sazan Guri, i cili shfaqi opinionin dhe analizën e vet për këtë çështje, ç’ka shërbeu më pas për një diskutim të thellë e të gjatë mes pjesëmarrësve.
Diskutimet vazhduan me raste konkrete dhe specifike, të cilat u prezantuan nga disa përfaqësues të SAI-ve të Europës. Sesioni u mbyll me prezantimin mbi vlerësimin mjedisor në kuptimin strategjik të tij, quajtur ndryshe ‘Vlerësimi strategjik mjedisor”, duke sjellë në fokus mekanizmat në auditimet mjedisore në lidhje me lejet mjedisore, me vlerësimet paraprake të mjedisit e deri te vlerësimet strategjike mjedisore.
Dita e dytë u hap me një përshëndetje, njëherësh dhe prezantim, prej përfaqësueses së SAI-t të Estonisë, znj. Evamaria Asari, e cila iu drejtua pjesëmarrësve me një temë shumë interesante, siç është ajo e përfshirjes së qytetarëve në auditime. Mbas këtij prezantimi u diskutua sesi mund të përfshihen grupet publike, NGO dhe qytetarët në auditimet mjedisore.
Seanca e fundit vazhdoi me një qasje tjetër, duke parashtuar metodat dhe mënyrat e përfshirjes së grupeve të interesit dhe me ofrimin dhe zgjidhjen e problematikave mjedisore si zhurmat, mbetjet, energjia, ujërat e pijshëm dhe të përdorura, duke adresuar problemet e qeverisjeve mjedisore në auditivet tona.
Çështja e fundit ishte sesi të mblidheshin financat prej atyre operatorëve që me instalimet e tyre ndikojnë në mjedis, prezantim i cili u mbajt nga përfaqësuesja e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, znj Rosica Shalivikj.
Sesioni i fundit u mbyll me prononcimin e z.Robert Konrad, Drejtues i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Mjedisin në Komisionin Evropian lidhur me problemet e detyrimeve mjedisore dhe përshtatshmëritë e tyre në nivele europiane
Takimi u mbyll me konkluzione të rëndësishme për të gjithë pjesëmarrësit.