Ish-presidenti Bujar Nishani ka qenë i ftuar sot në “5 pyetje nga Babaramo” ku është shprehur se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka funksionuar ashtu siç duhej.
Presioni i fortë politik dhe korrupsioni në rradhët e prokurorëve cilësohen nga ish-Presidenti si shkaktarët kryesorë të veprimtarisë së dobët të organit të akuzës veçanërisht në rastet e hetimit dhe ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe zyrtarëve të niveleve të tjera për korrupsion.
Nishani pohoi se nuk ka pasur asnjë informacion lidhur me rastet e korrupsionit.
“Nga Prokuroria nuk ka pasur ndonjë intensitet informacioni lidhur me hetimin e rasteve korruptive, por as unë nuk kam tentuar të kërkoja informacione. Nga SHISH nuk kam pasur korrespondenca për korrupsionin, por ka pasur informacione lidhur me drogën dhe sigurinë kombëtare”, tha Nishani.
Sipas tij, shkaku për thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare kanë qenë pikërisht informacionet e SHISH dhe përfshirja e disa zyrtarëve në këtë çështje.
“Ka pasur një moskordinim mes SHISH dhe policisë, mes policisë dhe prokurorisë lidhur me drogën. Ndërsa në luftën kundër terrorizmit suksesi ka qenë në një tjetër shkallë bashkëpunimi duke pasur sukses absolut”, tha Nishani.