Rajoni i qendrës, që në përbërje të tij ka qytetet e Tiranës dhe Elbasanit dhanë kontributin më të lartë në Vlerën e Shtuar Bruto gjatë vitit 2016 në, teksa rajonit i Jugut pësoi rënie të ekonomisë për të dytin vit radhazi me -1.2% ku rënia më e madhe u vu re në qarkun e Fierit me -3.2%.
Duke publikuar të dhënat për rajonet INSTAT referoi sot se peshën më të madhe në vend, në të gjithë treguesit e njësive lokale, e ka rajoni Qendër, i cili përbën 40,8 % të numrit të njësive lokale, 50,9 % të të punësuarve dhe 59,5 % të vlerës së shtuar.
Ky rajon ka kontributin më të madh në ndryshimin vjetor të vlerës së shtuar prej 6,4 pikë përqindje, pasuar nga rajoni Veri me 1,5 pikë përqindje dhe rajoni Jug, i cili gjatë vitit 2016 ka dhënë një kontribut negativ me -1,2 pikë përqindje.
Kontributin më të madh në rritjen e vlerës së shtuar për vitin 2016 e ka dhënë qarku Tiranë me + 6,1 pikë përqindje, pasuar nga qarku Durrës dhe Vlorë me + 0,9 pikë përqindje secili.
Qarku Fier ka kontribuar negativisht në treguesin e vlerës së shtuar me -3,2 pikë përqindje, duke u influencuar nga sektori i industrisë nxjerrëse, si aktiviteti kryesor në këtë qark.
Nga rezultatet vërehet se qarku i Tiranës dhe Durrësit kanë përqindjen më të lartë të vlerës së shtuar, pothuajse në të gjitha aktivitetet ekonomike. Në aktivitetin e industrisë nxjerrëse, qarku Fier ka peshën më të madhe të vlerës së shtuar me 57,4 %, pasuar nga qarku Dibër me 22,0 %.
Në aktivitetin e energjisë elektrike, gazit, ujit dhe trajtimit të mbetjeve, qarku Tiranë dhe Fier kanë peshën më të madhe të vlerës së shtuar, përkatësisht me 37,4 % dhe 11,2 %.
Në vitin 2016, numri i njësive lokale të rezultuara aktive shënoi një rritje pothuajse në të gjitha qarqet, krahasuar me vitin 2015. Nga rezultatet vërehet se qarku i Tiranës ka numrin më të lartë të njësive lokale, pothuajse në të gjitha aktivitetet ekonomike, duke përbërë 32,1 % të njësive lokale në vend, edhe pse ky tregues shënoi një rënie prej 4,5 %, krahasuar me vitin e kaluar.
Qarku Kukës ka peshën më të ulët të numrit të njësive lokale në vend me 1,5 %. Në aktivitetin e industrisë nxjerrëse, qarku Dibër ka peshën më të madhe të numrit të njësive lokale me 23,4 %, mbizotëruar nga industria e kromit, ndërsa qarku Gjirokastër ka përqindjen më të ulët të numrin të njësive lokale me 0,3 %.
Tirana me numrin më të lartë te të punësuarve ndërsa Kukësi më të ultin.
Numri i të punësuarve në njësitë lokale të rezultuara aktive gjatë vitit 2016 është 469.665, duke shënuar një rritje prej 7,9 %, krahasuar me vitin 2015. Qarku Kukës ka numrin më të ulët të të punësuarve në vend me 1,4 %, megjithëse gjatë vitit 2016 ky tregues shënoi përqindjen më të lartë të rritjes së punësimit me 26,0 %, krahasuar me vitin 2015.
Edhe për treguesin e punësimit, Tirana është qarku me përqindjen më të lartë të të punësuarve, pothuajse në të gjitha aktivitetet ekonomike.
Ndryshim bën industria nxjerrëse, ku punonjësit në këtë aktivitet janë të përqendruar kryesisht në qarkun Dibër (29,2 %) dhe Fier (26,5 %). Durrësi është qarku i dytë, pas Tiranës, që zë përqindjen më të lartë të punësimit në industrinë përpunuese (20,5 %), ndërtim (9,4 %) dhe aktivitet prodhuese të shërbimeve (10,2 %). Në aktivitetet e energjisë elektrike, gazit, ujit dhe trajtimit të mbetjeve, peshën më të madhe të numrit të punonjësve, pas qarkut Tiranë (29,2 %), e ka qarku Fier (11,7 %)./Monitor