Kur na ndajnë vetëm 6 ditë nga afati i dorëzimit të formularit të vettingut në polici mësohet se rreth 500 efektivë do të dorëzojnë kërkesën për lirim. Sipas sindikatës së policisë mësohet se rreth 500 efektivë e kanë shprehur tashmë se nuk janë në gjendje të plotësojnë formularin e vettingut, për shkak se ka një ngarkesë maksimale në plotësimin e dokumentave apo që edhe në shumë raste shoqërohet me mungesën e të dhënave në institucionet shtetërore.
Madje kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë por numri real do të mësohet vetëm pas datës 7 maj, datë në të cilën sindikata e policisë do ti dërgojë një letër policisë dhe ministrit Fatmir Xhafaj për të kërkuar të dhëna rreth procesit.
Në Policinë e Tiranës këtë të martë, 1 maij ka vazhduar procesi i dorëzimit të formularëve nga uniformat blu.
Vetë policia zyrtarisht nuk ka një shifër sa formularë janë dorëzuar, ndërsa burime pranë ministrisë së Brendshme institucion që drejton këtë proces thanë për Ora Nees se përafërsisht 70 % e efektivëve në detyrë të policisë së shtetit tashmë i kanë dorëzuar këto formularë.
E llogaritur në shifra rezultaon saktësisht një numër 7.700 efektivësh që i kanë paraqitur dokumentet pranë zyrave përkatëse, pasi në total këtë proces pritet ta kalojnë 11 mijë efektivë të policisë, Gardës dhe SHÇBA-së.
Referuar këtij trendi, thuajse 3 mijë efektivë mbeten të pavendosur dhe në ditët e fundit do të marrin një vendim, nëse do të dorëzojnë formularët apo kërkesën për lirim.
Dorëheqjet priten kryesisht në radhët e bazës, pra gradat e ulëta, inspektorë zone, mes oficerëve të SHÇBA-së, Gardës së Republikës, por burimet shtojnë se mund të dorëhiqen edhe 4 efektivë të RENEA-s, që është i vetmi shërbim elitë në Shqipëri.
Nga ana tjetër, formularët janë plotësuar nga qindra efektivë që ishin në dispozicion, pra të larguar përkohësisht nga radhët e policisë, por që nuk janë shkarkuar. Deklarata e pasurisë ajo e kontrollit të figurës dhe e vetëvlerësimit profesional janë tre formularët që duhen plotësuar elektronikisht nga punonjësit e policisë.
Efektivët duhet të deklarojnë edhe nëse kanë patur takime apo komunikimi elektronike me persona të përfshirë në krimin e organizuar ose kanë shkëmbyer para, dhurata dhe favore me këta të fundit.