Pagat janë një tjetër aspekt mjaft i rëndësishëm i tregut të punës dhe Shqipëria e ka vuajtur së tepërmi, të paktën gjatë këtyre tre dekadave të fundit. Pagat e ulta në vend kanë arritur të prodhojnë edhe varfëri absolute.
Të dhënat tregojnë se, në Shqipëri kjo normë fiksohet në pak më shumë se 5%. Për ata që punojnë në sektorin informal, norma është gati 5 herë më e lartë se ata që janë të formalizuar.
Varfëria absolute është ajo nën 3.1 dollarë për person në formën e paritetit të fuqisë blerëse, pra të asaj se ç`mund të blesh me 3.1 dollarë dhe jo vetëm 3.1 dollarë si të tilla, pasi në vende të ndryshme, çmimet janë të ndryshme, duke e ndryshuar tërësisht vlerën e shifrës si të tillë.
Një raport i pak kohëve më parë i Bankës Botërore tregonte se, shqiptarët kanë pagat më të ulat në Europë, të shprehura në fuqisë blerëse, madje sa 68.6% e pagave të shqiptarëve të Kosovës që janë të dytët në listë pas Shqipërisë në kontinent.
Në krahasim me malazezët pagat e shqiptarëve në fuqi blerëse janë sa 50.8% e tyre. Në terma më banalë, në rast se një shqiptar i Kosovës mund të blejë 6 pako makarona dhe një malazez 8 të tilla me pagën e tij mujore, një shqiptar i Shqipërisë mund të blejë vetëm 4 pako makarona në muaj me pagën e tij.