Dobësimi i Euros, Qendra Shqiptare e Eksporteve: Ekonomia humbet rreth 14 miliardë lekë

E mërkurë, 02 May 2018 09:21

Eksportuesit janë humbësit e mëdhenj të rënies galopante të euros në tregun tonë valutor, por jo të vetëm. Janë edhe ata që euron e përdorin në jetën e tyre të përditshme. Pak ditë më parë, Qendra Shqiptare e Eksporteve argumentoi se ekonomia jonë po humbet rreth 14 miliardë lekë nga dobësimi i euros.

Ndërsa kjo cështje është shndërruar në debatin kryesor të ekonomisë, lidhur me faktorët që po e ndikojnë një situatë të tillë, fasonistët hedhin dyshime për politika të qëllimshme.

Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve deklaron për Ekonomix.al se institucionet shtetërore duhet të ndërhyjnë për të mbrojtur shumicën e shqiptarëve, të cilët janë përdorues të euros.

“Është rasti tipik, kur shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht me politika monetare,  pse jo edhe financiare për të mbrojtur shtetasit e vet, që janë përdorues masivë të monedhave të forta.

Është rasti të kujtoj që gjysma e kombit shqiptar kanë Euron monedhë zyrtare (Kosova). Gjysma e gjysmës tjetër (Shqipëria) është përsëri jashtë si emigrantë në shtete, ku në mos përdoret Euro, përdoren monedha të tjera të forta, si dollari, paundi etj”, shprehet Gjika.

Kreu i fasonistëve e konsideron të qëllimshme goditjen e euros për të favorizuar persona të caktuar në dëm të shumicës dhe ekonomisë kombëtare.

“Me një matematikë të thjeshtë, nga politika monetare e zhvlerësimit artificial të euros dëmtohen direkt 75% e shqiptarëve. Pyetja që shtrohet është: Për 25% të shqiptarëve bëhet kjo politikë? Pastaj pyetja bëhet akoma më e nxehtë: Kush është ky 25%?

Personalisht mendoj që është një lojë e rrezikshme (loja me euron), me pasoja shumë të rënda për ekonominë dhe shqiptarët. Problemi i tjetër i madh serioz i kësaj është që ky dëmtim do të jetë i pamundur të rikuperohet për një kohë të shkurtër”, shprehet Gjika.

Euro ka zbritur aktualisht nën nivelin e 129 lekëve, ndërsa pritet që rënia të vazhdojë, e ndikuar nga fluksi i valutës që do të sjellin turistët e huaj dhe një pjesë e emigrantëve gjatë sezonit veror. Ekonomix.al

Modifikuar më E mërkurë, 02 May 2018 10:10
Login to post comments