Në harkun e 24 orëve mediat kanë raportuar për tri raste të rënda të sulmit të qenve të rrugës ndaj qytetarëve.
Rasti më i rëndë u shënua në Elbasan, ku një 58-vjeçar humbi jetën si pasojë e kafshimit nga një qen.
Kjo situatë ka rikthyer edhe një herë revoltën e shumë qytetarëve që përballen çdo ditë me rrezikun që mbartin qentë e rrugës, qoftë sa i përket kafshimit, ashtu edhe të sëmundjeve ngjitëse.
Aktivisti i shoqërisë civile, Gerti Shella, e quan atë që po ndodh sot me qentë e rrugës, sidomos në kryeqytet një tragjedi të paralajmëruar, ndërsa denoncon ata që në emër të së drejtave të kafshëve kërkojnë që qentë të shëtisin lirshëm nëpër qytet duke u kthyer në një rrezik konstant për çdo qytetar.
“Kemi kaq kohë që flasim dhe askush nuk merr masa. Mirë qentë që po vrasin njerëz, po s’të lë rehat as lukunia e këtyre që lehin gam gam nëpër rrjetet sociale si qenër të tërbuar… Këta që mbajnë kongrese për qentë e rrugës dhe po shkaktojnë gjenocid ndaj njerëzve”, shkruan Gerti Shella në rrjetin social facebook.
Ai shkon edhe më tej duke kërkuar edhe ndihmën e organeve ligjzbatuese për të vënë para drejtësisë të gjithë ata që kërkojnë të mbajnë qentë rrugëve duke kërcënuar jetën e qytetarëve. “I bëj thirrje policisë dhe prokurorisë të nisë hetimet për të gjithë ata që kanë marrë në mbrojtje qentë e rrugës dhe pitbullët dhe t’i vërë para drejtësisë. Njerëzit po humbasin jetën përditë prej kafshëve që ata kanë lënë rrugëve”, mbyll komentin e tij Shella.
Bashkia e Tiranës prej 2 vitesh ka nisur një projekt për vaksinimin dhe sterilizimin e qenve të cilët janë agresivë me qytetarët ose tregojnë shenja sëmundjeje por asgjë nuk është zgjidhur.
Mijëra qenë enden të lirë në rrugët e Tiranës, duke u kthyer në një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve.
Ndërkohë që pranë Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit në një vit janë referuar mbi 1 mijë raste të kafshimit të qenve të rrugës.