Pas denoncimit të tenderave korruptivë në KQZ nga ana e emisionit ‘’Ajsberg” transmetuar në “Fax News”, gazetari Artur Çani ka dorëzuar sot në KLSH një kopje të dosjes me të gjithë shkeljet e kryera dhe emrat e zyrtarëve që kanë firmosur shkresa korruptive.
Ai tha se një kopje nga dosja me abuzimet e tenderave që shkojnë në vlerën e 3 miliardë lekëve të vjetra do të çohet dhe në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pranë Ambasadës Amerikane.
Sekreratja e KLSH-së shprehu vlerësim për punën e gazetarit dhe tha se dosja do të merret në shqyrtim.
Ndërkohë vetë Çani u shpreh se ka besim te KLSH-ja, ndërsa për Prokurorinë do të shohë si do të sillet me denoncimin.
‘’Unë besoj që ky institucion do jetë në lartësinë e detyrës së vetë. Do ja çoj të njëjtin material dhe Prokurores së Përgjithshme, si dhe ambasadorit amerikan në vendin tonë. Askush nuk e ka pasur mendjen te tenderat korruptive që kapin shifrën prej 3 miliardë lekësh të vjetra, ndërsa mbyllej marrëveshja politike e 17 Majit.
Dosja ka emrat e atij që ka dhënë urdhrin dhe atij që ka firmosur. Unë nuk kam besim te prokuroria e përgjithshme, te puna që ajo ka bërë deri më tani. Nuk mund të shkojë prokuroria në zyrën e ministrit të brendshëm.
Në rast se prokuroria do të ketë një përgjigje për këtë rast, unë do të dal dhe do të them që tani e tutje do të kem besim te ky insititucion. Ajsbergu po fillon që të futet në rrjedhën e vetë normale, dhe do të ketë denoncime të tjera”, u shpreh Çani.