Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zhvilluar sot një takim fituesin e tre medaljeve të artë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, Briken Calja.
“Kënaqësi të takoja sot peshëngritësin, Briken Calja, fituesin e 3 medaljeve të arta në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, shumë të çmuara në këtë Vit të Skënderbeut.
Shpresojmë të tjera medalje gjatë këtij viti, jo vetëm nga peshëngritja por edhe nga sporte të tjera”, shkroi në një postim në rrjetet sociale Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Peshëngritësi Briken Calja ka marrë një rezultat spektakolar në Kampionatin Evropian të peshëngritjes. Ai bëri një garë të shkëlqyer në peshën trupore 69 kg, bateria A, ku e nisi si pretendent dhe e mbylli me tri medalje ari, duke i dhënë Shqipërisë një sukses të rëndësishëm, një titull europian. Padyshim që Calja e kishte paralajmëruar suksesin e tij dhe pavarësisht dështimeve në dy evropianë të mëparshëm, këtë herë ai bindi dhe e bëri me një performancë të pazakontë, duke realizuar provat një nga një dhe teknikisht në mënyrë perfekte.
Në kushtet kur njolla e dopingut ishte ende e freskët dhe dy dështime kishin ardhur ende pa nisur mirë Evropiani, vjen ky sukses madhështor i Briken Caljes, që shpallet kampion në shkëputje me 146 kg, kampion në shtytje me 175 kg dhe kampion në dygarësh me 321 kg.