Monopoli i tregut nga qeveria/ Patatja e Kukësit mbetet stok!

E Enjte, 03 May 2018 15:50

Patatja e Kukësit është ndoshta më e famshmja në tregjet shqiptare. Por fermerët në verilindje të vendit, thonë se prodhimi u ka mbetur stok për pasojë të mungesës së tregut. Shqetësimi mbetet pa zgjidhje prej vitesh tashmë, ndaj siç konfirmojnë në zyrat e bujqësisë, fermerët po ulin kultivimin vit pas viti. Patatja u ka mbetur në derë fermerëve të Kukësit duke u çuar mundin dëm. “Pataja është stivë, pa shitur, kanë ngelur nëpër gropa, nuk kemi ku ti dërgojmë sepse nuk ka treg”, thotë për ora news një fermer.

Prodhuesit thonë një pjesë të prodhimit nuk e kanë nxjerrë fare nga kavaletat ku i mbajnë, ndërsa tregtarët ankohen për shitjet e pakta edhe pse çmimet thonë se janë më të lirat e mundshme. “Edhe konkurrenca e madhe, edhe patatja e Kosovës, e Lushnjes edhe neve rrijmë, çfarë të bëjmë. Kur nuk vendos dorë shteti kështu ndodh. E lejon mallin e huaj të hyjë dhe i yni rri stok”, thotë një tregtar.

Patatja e Kukësit është ndër më të famshmet dhe të preferuarat në tregjet shqiptare, por për një sërë arsyesh prodhimi nuk e gjen tregun më si më parë. Ndaj vit pas viti fermerët kuksianë po zvogëlojnë sipërfaqet e kultivuara, siç konfirmojnë në drejtorinë rajonale të Bujqësisë.

Modifikuar më E Enjte, 03 May 2018 16:29
Login to post comments