Një nga aferat më të mëdha në Shqipëri është ndërtimi, mirëmbajtja dhe dështimi për ta vënë në punë Aeroportin e Kukësit. I cilësuar si një projekt që do të lulëzonte ekonominë e një nga qarqeve më të varfra në Shqipëri, ky aeroport ka sjellë një barrë të rëndë për ekonominë shqiptare, edhe pse qëndron i mbyllur.
Gjatë kësaj kohe, në këtë aeroport janë punësuar qindra persona, megjithëse nuk ka funksionuar asnjëherë. Dhe, për çdo vit, për këtë aeroport shpërdorohen qindra milionë lekë të tjerë për ta mirëmbajtur, ruajtur, madje edhe për të bërë eksperimente.
Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tenderi të hapur nga Autoriteti i Aviacionit Civil me objekt “ruajtja dhe siguria fizike e Aeroportit të Kukësit me afat një vit nga lidhja e kontratës”. Mësohet se shteti shqiptar ka derdhur plot 150 milionë lekë për të ruajtur këtë aeroport jofunksional.
Ndërkohë, pak kohë më parë, Prokuroria e Kukësit filloi hetimet për punësimet fiktive të rreth 40 punonjësve. Megjithatë, prokuroria nuk gjeti prova dhe kërkoi pushimin e procedimit penal ndaj dy ish-drejtorëve Agron Xhafa e Arben Carkanjit dhe po ashtu ndaj financierit Faredin Noka.
Gjykata thotë se pas shqyrtimit të dosjes doli në përfundimin se “fakti nuk parashikohet nga ligji” dhe se çështja ishte administrative dhe jo penale. Si bazë të vendimit për pushimin e çështjes gjykata citon, pa dhënë datë dhe referencë të qartë, Vendimin e Këshillit të Ministrave 811, i cili sipas vendimit përmbante “një plan strategjik për hapjen e aeroportit të qytetit të Kukësit”.
Mësohet se Aeroporti i Kukësit u ndërtua me një grant të qeverisë së Emirateve të Bashkuara me një vlerë prej 24 milionë dollarësh. Fillimisht shkak për bllokimin e tij u bë kontrata koncesionare Aeroportit të Rinasit, e cila i jepte kësaj të fundit një monopol mbi fluturimet ndërkombëtare nga Shqipëria. Ndërkohë që edhe pas rinegocimit të kontratës koncesionare të Rinasit dhe heqjes së ekskluzivitet për fluturimet ndërkombëtare, aeroporti i Kukësit vazhdon të qendrojë i mbyllur.
Së fundmi, kryeministri Rama tha se do të rihapë aeroportin e Kukësit. Megjithatë, premtime të tilla bëhen sa herë ka fushata dhe sa herë ka ankesa, se Kukësi është qarku më me pak investime në Shqipëri./TPZ.AL/E.H./