Kanë kaluar dy javë që nga miratimi i listës së re të barnave në mbledhjen e këshillit të ministrave.
Pritej që kjo listë të hynte në fuqi menjëherë, jo vetëm për faktin se farmacitë punuan për dy vjet radhazi me listën e vjetër, atë të vitit 2016, por për faktin se si nga buxheti i shtetit po u paguhen para kot kompanive farmaceutike, të cilat po përfitojnë si nga rënia e ndjeshme e kursit te euros ashtu edhe për shkak se po u blihen barnat me shtrenjtë, ndërkohë që çmimi i tyre në 2017 pësoi një rënie të ndjeshme.
Për shkak se nuk u miratuar lista e re në 2017 kompanitë përfituan në këtë vit 730 milionë lekë të reja, ndërkohë që vazhdojnë të përfitojnë.
Vendimi i datës 20 prill për listën e re të barnave është botuar në fletoren zyrtare në 25 prill ku thuhet se ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në fletoren zyrtare.
Top Channel kontaktoi disa farmaci në Tiranë që kanë kontratë me Fondin e Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor për të tregtuar barna me rimbursim, të cilët thanë që jo vetëm që nuk kanë nisur të funksionojnë me listën e re të barnave të rimbursueshme, por se ende nuk kanë lidhur kontratat e reja për vitin 2018.
Normalisht një muaj para se të hyjë në fuqi lista e re barnave, ata duhej të kishin lidhur kontratat e reja. Por as ata nuk janë vënë në dijeni dhe as urdhri i farmacistit nuk ka asnjë dijeni në lidhje me kontratë këtij vitit.
Pronarët e farmacive druajnë se kontrata do t’ua bëjnë fakt të kryer t’i nënshkruajnë njëherazi me listën e re të barnave, pa u konsultuar me ata më parë.
Ndërkohë që dy vite më parë në kontratë ishte përcaktuar se nëse farmacitë ankoheshin për ndonjë padrejtësi që u bëhej, atëherë menjëherë u ndërpritej kontrata me fondin gjë e cila u kontestua në atë kohë dhe palët përfunduan në gjykatë.
Por këtë, vit ata druajnë se do të jenë përballë surprizave të tjera të pafavorshme për të cilat do të detyrohen të nënshkruajnë.