Komisioni Europian ka ulur ndjeshëm projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm. Tashmë, projektohet një rritje ekonomike në 3.6% këtë vit, nga 3.8% që vlerësohej në raportin e Janarit, dhe në 3.9% vitin e ardhshëm, nga 4.2% që projektohej në raportin e kaluar.
Pra, kemi të bëjmë me një ulje të projeksioneve me 0.2 dhe 0.3 pikë përqindje respektivisht. Pavarësisht shkurtimit të ndjeshëm të projeksioneve, i dyti me radhë, Komisioni Europian vlerëson me tone pozitive ekonominë shqiptare, duke saktësuar se rënia ekonomike gjatë këtij viti është rrjedhojë e uljes së ritmit të investimeve.
Konsumi privat nga ana tjetër evidentohet si lokomotiva e rritjes ekonomike. Tregtia e jashtme projektohet që të japë një kontribut negativ në rritjen ekonomike të vendit.
“Rritja e fuqishme ekonomike pritet të vazhdojë. Konsumi privat do të mbetet motori i rritjes, duke marrë shtysë nga rritja e punësimit, pagat më të larta dhe besimi konsumator mbi mesataren. Politikat lehtësuese monetare do të nxisin shpenzimet familjare dhe investimet e biznesit”, thotë Komisioni Europian në raportin e fundit për projeksionet ekonomike të pranverës në Bashkimin Europian dhe vendet kandidate.
Sa i përket rreziqeve ndaj rritjes ekonomike, Brukseli evidenton vonesat në implementimin e reformave strukturore. Faktorët që mund të nxisin një rritje më të madhe ndërkohë lidhen ngushtë me perspektivën për anëtarësim të vendit. Kjo gjë mund t`i japë një shtysë ekonomisë, thotë Brukseli zyrtar./Scan