Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme, ku një person i dha fund jetës, duke u mbytur në lumin Kir në Shkodër.
Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Dedë Shkalla, i cili prej kohësh shërbente në Policinë e Shtetit, ndërsa ditën e djeshme ka vendosur që ti japë fund jetës, duke lënë pas 5 fëmijë.
Nga hetimet e para, grupi hetimor ka konstatuar se 52-vjeçari nuk ka pasur shenja dhune në trup, çka të çojnë në konkluzionin se ai i ka dhënë fund jetës.
Deri tani nuk dihen motivet e sakta, por mësohet se arsyeja e parë që po heton policia për mbytjen e Shkallës është stresi nga procesi i Vettingut që po bëhet në Policinë e Shtetit.
Siç kanë dëshmuar edhe kolegët e tij, ditët e fundit Deda ishte paraqitur shumë i shqetësuar pasi nuk po arrinte dot që të mblidhte dokumentet në kuadër të Vetting-ut.
Stresi është bërë akoma më shumë, kur na ndajnë vetëm pak ditë nga afati i fundit që Ministria e Brendshme të mbyllë procesin e Vetting-ut.
Për familjen e tij, Dedë Shkalla, u ngrit si çdo mëngjes për tu bërë gati për të shkuar në punë, por jo si çdo ditë, ai ka ngritur nga gjumi djalin e tij 18-vjeçar për tu përshëndetur me të.
Pasi është përshëndetur me të, efektivi i Policisë së Shkodër nuk është nisur për në punë, por ka marrë rrugën që do ta çonte drejt vendimit ekstrem.
Babai i katër vajzave dhe një djali, i stresuar nga procesi i Vetting-ut si dhe për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, është mbytur në lumin Kir.
Ky është rasti i dytë, pasi atij të Fierit pak ditë më parë, ku një polic i dha fund jetës duke qëlluar me armë zjarri veten, vetëm pak metra larg Komisariatit, që Vettng-u ka marrë jetë njerëzish.
Në një kohë që Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, numëron grupet kriminale në TV, ku bandat po luftojnë njëra-tjetrën, ato që dëmtohet më shumë është Policia e Shtetit.
Kur duhet të ishte një proces ankthi dhe tmerri për drejtuesit e policisë që kanë qenë të përfshirë në mënyrë direkte në kultivimin e drogës, që kanë qenë dhe janë pjesë e grupeve kriminale natën e ditën bëjnë policinë, Vetting-u është kthyer në ankth dhe tmerr për punonjësit e thjeshtë të policisë.
Që për turpin e Shtetit, u kërkohet që të justifikojnë se me çfarë lekësh e ka ngritur shtëpinë e tyre 1 katëshe, kur drejtuesi i policisë vjen në Komisariat me makinë që kushton më shumë se 50 mijë euro.
Policëve të thjeshtë iu kërkohet të justifikojnë sesi ia dalin kur 10 ditë para të mbyllet muaj, i sosen paratë e rrogës, ndërsa nuk i shqetëson sesi drejtuesit e kanabisit, rrogën e tyre e lënë të gjithën në një darkë modeste jashtë shtetit.
Deri në momentin që të vihen në pranga të gjithë drejtuesit e policisë që kanë qenë të përfshirë në trafikun e drogës, Policia e Shtetit do të jetë e njollosur.
/55News.al/