Dy shtetas shqiptarë u arrestuan të hënën në Spanjë, të dyshuar si drejtues të një organizate mafioze që merrej me trafikun e kokainës nga Kolumbia.
Mediat spanjolle publikuan emrat e shqiptarëve që u arrestuan nga operacioni i një dite më parë në Madrid, ku u sekuestruan 1 ton kokainë dhe 1.55 milionë euro.
Sipas “La Razon”, bëhet fjalë për Julian Deblinin dhe Dritan Gradicën, ndërsa dy të tjerë janë shtetas spanjollë, Ruben Paz Ciprian Munoz dhe Ruben de Castillo de la Torre. I pesti i operacionit u arrestua në Kolumbi, Lelio Nevarda Avila Santana.
Mediat lokale, duke iu referuar burimeve nga Policia, thonë se dy shqiptarët kanë përgatitje ushtarake dhe mendohet se kanë marrë pjesë në luftimet në Ballkan.
Duket se në këtë rast i referohen luftës së Kosovës.
Megjithatë, nga verifikimet e kryera rezulton se të dy këta persona, të arrestuar në Spanjë, kanë qenë të pajisur me dokumente identiteti të falsifikuara.
Nga një kërkim në regjistrin e Gjendjes Civile, Dritan Gradica rezulton një person nga Kukësi, i cili jeton në Londër dhe 10 vite më parë ka denoncuar vjedhjen e identitetit.
Ndërsa personi tjetër, Julian Deblini, nuk figuron i regjistruar në Gjendjen Civile.