Rama ia arrin qëllimit, biznesi i madh po zhduk të voglin

Premte, 04 May 2018 12:03

Ndërmarrjet e mëdha dhe të mesme kanë raportuar rritje të shitjeve në 6-mujorine dytë të vitit 2017, teksa bizneset e vogla kanë raportuar rënie të shitjeve. Banka e Shqipërisë anketoi 1200 ndërmarrje të madhësive të ndryshme, por rezultatet nuk ishin premtuese për biznesin e vogël. Në  linjë  me  ecurinë  e  shitjeve, ndërmarrjet  e  mesme dhe të mëdha kanë vlerësuar rritje të rezultatit financiar dhe  zgjerim të  veprimtarisë  gjatë periudhës. Në përgjithësi, pritshmëritë pozitive të ndërmarrjeve  mbi shitjet, rezultatin financiar dhe zgjerimin e veprimtarisë, vijojnë të japin sinjale optimiste për ecurinë e tyre në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. Teksa një një trend i kundërt është vënë re në biznesin e vogël.

Linjat e vogla të biznesit po kalojnë një tranzicion të vështirë për shkak të konkurrencës nga qendrat e mëdha tregtare, rënies së konsumit, rritjes së tarifave vendore dhe përfshirjes së fundmi në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Nga ana tjetër biznesi i vogël ka një rëndësi strategjike për vetëpunësimin në vend. Nga totali i të punësuarve në vendin tonë 25 për qind janë të vetëpunësuar, kryesisht ne bizneset e vogla.

Sipas statistikave zyrtare në dy vitet e fundit rreth 26 mijë persona të vetëpunësuar dolën nga skema e sigurimeve shoqërore (16 mijë në vitin 2016, sipas INSTAT dhe 10 mijë në 2017-n, sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore), çka po reflekton vështirësitë që po kalon kjo hallkë e rëndësishme e punësimit në vend. Pak ditë më parë raporti i Tranzicionit të BERZH vuri në dukje rëndësinë që ka biznesi i vogël për vendin tonë, duke këshilluar autoritetet vendore që të ndjekin politika lehtësuese ndaj tyre.

Bizneset e vogla përbëjnë numrin më të madh të subjekteve prodhuese, rreth 80 për qind në vendet në zhvillim dhe 95 për qind në Shqipëri. Për këtë arsye, BERZH kërkoi qe duhet bërë më shumë për integrimin e bizneseve të vogla në rrjetet globale të prodhimit, gjetja e kapitalit njerëzor, aksesi në sistemin financiar apo në tregjet e kapitalit.

Gjithashtu bizneset e vogla kanë një peshë të konsiderueshme në vlerën e shtuar bruto. Sipas anketimeve që ka bërë Banka e Shqipërisë në këto biznese shqetësimet parësore për bizneset e vogla janë konkurrenca e pandershme, vështirësitë për gjetjen e tregjeve për shitjen e produkteve, dhe më pak aksesi në financim. /Monitor.al/

Modifikuar më Premte, 04 May 2018 13:01
Login to post comments