Dogana shqiptare ka njoftuar sot se udhëtarët që vijnë nga vende të tjera në Republikën e Shqipërisë përjshtohen nga mallrat që gjenden në bagazhin e tyre personal.
Mallrat përjashtohen nëse, për nga lloji dhe sasia e tyre, nuk kanë për qëllim përdorimin tregtar. Përfitojnë përjashtim mallrat e përdorimit vetjak të udhëtarëve ose mallrat për dhurata.
Vlera e mallrave që përfitojnë përjashtim (pa përfshirë këtu produktet e duhanit dhe alkolit) eshte sipas vlerës ekuivalente në lekë të shumave, si më poshtë:
Udhëtarët në rrugë tokësore: 300 euro për çdo udhëtar
Udhëtarët në rrugë ajrore ose në rrugë detare: 430 euro për çdo udhëtar
Për udhëtarët nën 15 vjeç: 150 euro
Gjatë hyrjes ose daljes nga Republika e Shqipërisë, udhëtari duhet të deklarojë mallrat nëse janë me vlerë më të lartë se kufiri përkatës i sipërpërmendur si dhe nëse janë për qëllime tregtare. Autoritetet doganore mund t’i kërkojnë udhëtarit që të tregojë të gjitha mallrat që transporton.
Kujdes!
Për mallrat me natyrë jo tregtare në bagazhin e udhëtareve që e tejkalojnë kufirin e pataksueshëm nga detyrimet doganore të importit, kryhet deklarimi doganor nëpërmjet procedurës së Deklarimit të thjeshtuar.