Çështja e shembjes së Teatrit Kombëtar me vendim të Ramës vijon të jetë një nga temat më të diskutueshme në vend. Së fundmi, Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE), si dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, kanë bërë një thirrje publike ndaj qytetarëve, në mënyrë që edhe ata t’i bashkohen kauzës për të mbrojtur vlerat e godinës së TK-së.
“Së bashku mund t’u themi JO arrogancës së politikanëve dhe oligarkëve! Së bashku qëndrojmë në këmbë! Të ndarë rrë- zohemi!”, kjo është thirrja e tyre.
SASE dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar po mundohen të mbledhin sa më shumë njerëz bashkë, si dhe të sigurojnë mbledhjen e firmave për peticionin drejtuar ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe drejtores së Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani. Këtë peticion SASE dhe Aleanca e nisën të hënën që kaloi, përmes të cilit kërkojnë shpalljen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, “Kompleks monument kulture”. I pari që hodhi firmën në këtë peticion, ishte aktori Robert Ndrenika dhe pas tij firomësn edhe aktorë të tjerë.
Një peticion i tillë nuk është hera e parë që ngrihet, pasi edhe 16 vite më parë, kur në pushtet ishte po PS-ja, rreth 60 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë të opozitës dhe pozitës e ngritën një kërkesë të tillë.
THIRRJA
SASE dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i ka bërë thirrje publikut të bëhet pjesë e iniciativës për shpalljen e godinave teatrore, që rrezikojnë të shemben, “kompleks monument kulture”. “Të dashur miq, dashamirës të Teatrit Kombëtar (TK) dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental (TKE), ju që doni të mbroni trashëgiminë tonë kulturore dhe historike, ju që doni të mbroni hapësirat publike në qytetin e Tiranës, përfshihuni në përpjekjen tonë për shpalljen e kompleksit që përshin këto dy teatro “monument kulture”. Ne nuk jemi as parti politike, as formacion ushtarak.
Nuk kemi organizim piramidal. Askush nuk jep dhe askush nuk merr urdhra. Kushdo që beson në kauzën tonë, nuk duhet të presë as thirrje individuale për t’u përfshirë. Gjithkush mund të bëjë diçka. Për shembull mund të nënshkruajë propozimin. Ju që keni pak kohë të lirë, organizohuni në grupe të vogla, me miqtë tuaj dhe mblidhni nënshkrime për propozimin. Nëse jeni anëtar i ndonjë organizate jofitimprurëse apo partie politike, bëjeni kauzën tonë kauzë të organizatës apo partisë suaj. Filloni nga familja juaj, nga miqtë dhe kolegët e punës”, thuhet në këtë thirrje.
PETICIONI
Pas 16 vjetësh, artistë dhe dashamirës të teatrit i dërgojnë Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, një kërkesë për të shpallur godinën e Teatrit Kombëtar dhe atë të atij Eksperimental “Kujtim Spahivogli” “kompleks monument kulture”.
Firmat që mbështesin këtë kërkesë nisën të mblidhen ditën e hënë gjatë mbledhjes së radhës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. I pranishëm në këtë takim ishte edhe aktori Robert Ndrenika, i cili nguli këmbë që t’i qartësohet ministres Kumbaro se, “toka e teatrit është e shenjtë, është Jerusalemi i aktorëve”. Ai shprehu shqetësimin se mos godina e Teatrit Kombëtar shembet natën ose në ndonjë ditë vere, në mënyrë “të pabesë”. Ai ishte i pari që firmos kërkesën e hartuar nga SASE dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Përmes këtij peticioni, i rikujtohen edhe një herë Kumbaros arsyet se pse ky kompleks i ngritur në vitin 1938, duhet të ruhet.
Ata bëjnë një historik të ndërtesës, që nga momenti i porositjes nga qeveria shqiptare, mënyra e ndërtimit të tij, arkitektura, materialet, si dhe të gjitha etapat nëpër të cilat ajo ka kaluar, që nga koha kur ishte një kompleks kulturor, te gjyqet komuniste të zhvilluara në të, plejada e artistëve që janë ngjitur dhe krijuar për skenën e teatrit, deri te kërkesa e 16 viteve më parë, e cila u ndërmor, për shkak të së njëjtës arsye që po ndërmerret edhe më tash. Përpara dy muajsh, në ambientet e Kryeministrisë, Kryeministri Edi Rama deklaroi se ndërtesa e vjetër e TK do të shembet dhe në vend të saj do të ngrihet një godinë e re. Po atë ditë, arkitekti danez Bjarke Ingels prezantoi propozimin e tij për godinën e TK. Një godinë më vete, por që nga pas, me shumë gjasë do të ketë edhe një seri kullash.