Kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe deputetët e PD-së kanë nisur homazhet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit me rastin e 5 Majit.
Në një prononcim për mediat, Basha i ka drejtuar një apel të gjithë shqiptarëve për të vazhduar betejën për liri, e cila sipas tij është e kërcënuar nga diktatura e krimit, korrupsioni dhe abuzimet e qeveritarëve.
Në këtë kuadër Basha tha se krimi dhe korrupsioni po shkatërrojnë pasuritë e shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre.
Gjithashtu kreu demokrat shprehu vendosmërinë e Partisë Demokratike për të depozituar në Kuvend pr/ligjin që do të ndalonte simbolet e komunizmit dhe dekomunistizimin e shoqërisë.
“PD është e angazhuar të çoj në Parlament ligjin për ndalimin e simboleve të komunizmit, dekomunistizimin e Shqipërisë,për të bërë të qartë se kurrë më nuk do të pranojmë rikthimin e të shkuarës së përgjakshme dhe të dhimbshme për të cilën shqiptarët kanë paguar çmimin më të shtrenjtë në Europë dhe kjo do të nisë me ndalimin e simboleve të komunizmit dhe portretit të gjakatarit Enver Hoxha”, tha Basha.
Sot është dita t’i kujtojmë njëri-tjetrit se liria fitohet e mbrohet çdo ditë. “Është dita për t’i kujtuar njëri-tjetrit, se liria fitohet dhe mbrohet çdo ditë. Se ditën që nuk luftojmë më për liri rrezikojmë ta humbim atë. Ndaj dhe thirrja ime sot është të vazhdojmë ditë për ditë betejën tonë për lirinë e kërcënuar nga diktatura dhe tirania e krimit, autokracia që shkel ligjin për interesa private dhe personale të pushtetit, liria nga tirania e varfërisë, korrupsionit që zhvat dhe shkatërron pasuritë e vendit”, tha ai.