Grabitja e 100 milionëve në Fier, akuza të forta për Policinë

Saturday, 05 May 2018 21:25

Gjykata e Apelit në Vlorë la dje në burg dy autorët e dyshuar për grabitjen e rreth 110 milionë lekëve në Fier dhe të një mjeti luksoz tip “Benz”.

Ngjarja ndodhi në fshatin Levan të Fierit më 29 maj të vitit 2017, ndërsa pak kohë më parë u arrestuan si të implikuar shtetasit Renaldo Tafili, 22 vjeç, dhe Xhuljan Muça, 24 vjeç, të dy banues në fshatin Levan.

Të dëmtuarit nga kjo ngjarje kanë hedhur akuza akoma më të forta dje, ku sipas tyre ka prova për implikim të dy efektivëve të Policisë së Fierit në grabitjen e ndodhur në vitin e kaluar. Floresha dhe Xhemal Kalemaj ishin dje në sallën e gjyqit për të ndjekur nga afër seancën gjyqësore në ngarkim të dy të arrestuarve.

Vetëm pak javë më parë ata hodhën akuza se dy të arrestuarit do të blinin lirinë me paratë e grabitura, por dje trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke i lënë dy të rinjtë në burg.

Këta të fundit nuk kanë folur në gjykatë, por kanë pritur vetëm sa u është komunikuar masa e arrestit në burg. Veç dy bashkëshortëve të dëmtuar nga grabitja, në sallën e gjyqit dje ishin të pranishëm edhe familjarë të dy të dyshuarve. Më herët, çifti Kalemaj iu ka bërë atyre thirrje të bashkëpunojnë me drejtësinë dhe të tregojnë se ku i kanë fshehur paratë.

Znj. Kalemaj, ju jeni palë e dëmtuar në këtë çështje. Gjykata la në burg të dyshuarit, teksa ju më parë keni aluduar se ata do të tentojnë të blejnë lirinë me paratë që iu grabitën juve…

Po padyshim që do liheshin në burg, mbasi të dy këta persona kanë grabitur lekët dhe automjetin dhe për këtë ka prova të pakundërshtueshme. Gjykata e Fierit dha arrest me burg, por avokatët mbrojtës apeluan dhe tashmë Gjykata e Apelit Vlorë e çoi të drejtën në vend. Shpresojmë që shumë shpejt të zgjidhet gjithçka.

Ju keni deklaruar se dy të rinjtë ju njihnin dhe kanë vëzhguar lëvizjet tuaja para se të vepronin…

Jo vetëm këta të dy, por edhe dy efektivë të Policisë së Fierit janë të përfshirë në këtë ngjarje. Kemi prova për këtë fakt dhe nuk e themi gjithçka kot.

Kjo është një akuzë e rëndë. I keni denoncuar ata?

Po kështu është dhe ne kemi bërë denoncim për efektivët e Policisë edhe në Komisariatin e Fierit, edhe në SHÇKB. Të dy grabitësit kanë kryer grabitjen të mbuluar nga efektivë të Policisë së Fierit. Nuk është deklaratë, por e mbështetur në prova të forta, të cilat ne i kemi dhënë në Policinë e Fierit.

Dhe, ka ndonjë reagim apo emër?

Ne i kemi deklaruar në Polici të gjitha. Presim reagimin e tyre dhe që hetimi të shkojë deri në fund. Të zbardhet e vërteta ashtu si është dhe të na kthehet mundi ynë dhe automjeti.

Çfarë iu kanë thënë për paratë? Çfarë kanë deklaruar të rinjtë për to?

Janë hetimet që vijojnë. Ne s’kemi marrë ende asgjë edhe pse na kanë thënë që janë gjetur një sasi lekësh. Por deri tani asgjë. Nuk dimë më shumë se kaq. Pasi nuk ka kanë treguar asgjë më shumë. Thjesht se hetimet vijojnë.

Si u vodhën lekët dhe automjeti?

E kemi thënë edhe më parë. Ata ishin banorë dhe punonin pranë biznesit që kemi në Levan dhe i njihnim edhe më parë. Na kanë studiuar. Pasi kanë shkuar fillimisht në shtëpinë tonë në Fier dhe kanë marrë një shumë parash atje, kanë arritur të marrin çelësin rezervë të automjetit. Më pas arritën ta grabisin automjetin, brenda të cilit ne kishim edhe 100 milionë lekë që i kishim për të shlyer detyrimet tona mbi biznesin dhe kredinë. /Panorama/

Modifikuar më Saturday, 05 May 2018 21:26
Login to post comments