Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka rrëzuar ditën e djeshme kërkesën e Mario Meshinit për zbutje të masës së sigurisë. Meshini është një prej të arrestuarve për vrasjen e Devi Kasmit në Tiranë
Ai, përmes avokatit të tij, kërkoi që të lirohet, pasi nuk ka lidhje me vrasjen e Kasmit. Ai pretendon se Kasmin e ka pasur mik dhe se nuk është ai që e ka nxjerrë në pritë. Mirëpo, sipas dosjes hetimore, Mario Meshini, edhe pse ishte në vendin e ngjarjes dhe e pa të gjithë skenën e vrasjes, u largua dhe nuk njoftoi autoritetet, shkruan Panorama.
Në skenën e krimit u gjetën dy armë zjarri, ku në njërën prej tyre janë gjetur gjurmë të gishtërinjve të Mario Meshinit. Nga kamerat e sigurisë aty pranë, Meshini shihet që i drejton pistoletën viktimës, por pa e qëlluar dhe më pas e braktis atë. Nga ana tjetër, për vrasjen e Kasmit janë arrestuar edhe shtetasi grek Efthymios Efhymiuou, i cili dyshohet se është edhe personi që është paguar për të vrarë Kasmin, Elton Halipaj, Elton Hoxhallari dhe Malvin Dinellari, që mendohet se e kanë ndihmuar grekun gjatë atentatit.
Ndërkohë, në kërkim është ende Aurel Hoxhallari, i cili dyshohet se është organizatori i atentatit. Të gjithë këta, përveç Meshinit, dyshohet se bëjnë pjesë në një grup të strukturuar kriminal, që kryen vrasje me pagesë.
Efthymios Efthymiou ka ndjekur për disa ditë Devi Kasmin. Ai mendohet se është ndihmuar edhe nga Mario Meshini, i njohur me Kasmin, dhe aktualisht gjendet në burg. Ende nuk dihet motivi i vrasjes së Kasmit, por pista kryesore është e pazareve të drogës. Ditën e vrasjes, greku ka shkuar me motor pranë banesës së Kasmit dhe e ka qëlluar atë me pistoletë.