Gjithmonë e më pak lexues ka në Bibliotekën Kombëtare. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, numri i shërbimeve të njësive bibliotekare dhe numri i frekuentuesve të Bibilotekës Kombëtare ka pësuar një rënie të ndjeshme me rreth 86.0 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në bibliotekë ka pasur gjithashtu, më pak tituj librash, një element ky që ndikon në uljen e atraktivitetit të saj. “Në tremujorin e parë 2018, në Bibliotekën Kombëtare janë afishuar 1.812 botime, 62.8 % më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga këto botime 340 ishin tituj të rinj dhe 1.472 ekzemplarë të rinj”, theksohet në raportin e INSTAT për Statistikat e Kulturës.Ndërkaq ajo që bie në sy është numri i frekuentuesve të shfaqeve kulturore. Në tre muajt e parë të 2018-ës numri i shfaqjeve kulturore ka qenë 344, duke pësuar një rritje vjetore me 61.5 %. Në rritje është edhe numri i spektatorëve. Në tremujorin e parë të këtij viti arriti në 74.848 spektatorë, duke pësuar rritje me 73.4 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2017. Ekonomix.al