Presidenti Donald Trump ka mbrojtur të përzgjedhurën e tij si shefe të CIA-s, pasi ajo ofroi dorëheqjen në mesin e shqetësimëve për rolin e saj në teknikat e ashpra të marrjes në pyetje, që konsiderohen gjerësisht si tortura.
Trump tha se, Gina Haspel është vënë në shënjestër, sepse ajo ka qenë e ashpër me terroristët. Në një postim në “Twitter”, presidenti shprehu mbështetjen e tij për Haspel, duke e përfunduar atë me frazën…Gina Fito!
Haspel, që do të dalë para Senatit për konfirmim të mërkurën, ka vendosur tani të mos tërhiqet.
Diferenca e vogël mes partive në Senat, sidoqoftë e bën konfirmimin e saj të pasigurtë. Vendi i drejtorit të CIA-s mbeti vakant, pasi Mike Pompeo është emëruar Sekretar Shteti muajin e kaluar.
Haspel do të jetë e para drejtuese femër e CIA-s, nëse konfirmohet. Ajo ka qenë pjesë e agjencisë për 33 vite, thuajse tërësisht me misione të fshehta, por së fundmi ka qenë zëvendësdrejtoreshë. Koha e saj e qëndrimit në agjenci mbulon edhe periudhën kur teknikat, mes të cilave ajo që njihet si “waterboarding”, mbytje me ujë, përdoreshin në programin e shumëpolemizuar të marrjes në pyetje për të dyshuarit si terroristë.
Vet Haspel ka menaxhuar një të ashtuquajtur “Black site” në Tajlandë, një burg sekret jashtë Amerikës ku teknika të tilla të marrjes në pyetje zbatoheshin.
“Washington Post” thotë se ajo ishte thirrur në Shtëpinë e Bardhë të premten, nga zyrtarët e shqetësuar për mbështetjen e saj të mëhershme të këtyre teknikave. Në këtë takim, duket se ajo është shprehur e gatshme të tërhiqet, për shkak edhe të frikës se marrja në pyetje në Senat mund të dëmtonte reputacionin e saj dhe të CIA-s.