×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Skandal me tenderin për blerjen e 35 ambulancave, fituesi i paracaktuar

Hënë, 07 May 2018 16:40

Ministria e Shëndetësisë pritet të shpallë një tender për blerjen e 35 ambulancave, tender i cili që në nisje duket se e ka të paracaktuar fituesin.

Në datën 20 prill, ky institucion i ka dërguar një ftesë të gjithë koncesionarëve të automjeteve, me synim shfaqjen e interesit. Por në një ftesë të dytë të datës 30 prill, Ministria e Shëndetësisë ka kufizuar kushtet teknike, me kritere të cilat përjashtojnë thuajse të gjithë operatorët nga gara.

Specifikimet teknike të automjeteve që kërkohen i përmbush vetëm një subjekt në treg.

Jemi përjashtuar nga pjesëmarrja jo vetëm ne të markës Fiat, por 90 % e operatorëve të tregut që përfaqësojnë brendet evropiane. Duket e çuditshme që hapet një procedurë, një ftesë për tender dhe rriten kapacitetet e lejuara motorike, në një kohë që në vetvete ky tregues duhet të vinte duke u ulur”  -thotë Eno Zeneli, përfaqësues i shoqatës së distributorëve të automjeteve dhe njëkohësisht përfaqësues i markës Fiat.

Gara që pritet të shpallë ministria duket aspak konkurruese, por ajo mbart edhe probleme të tjera më të rënda. Fuqia motorike që kërkohet për mjetet është në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Evropian.

Ideja është që kërkohen automjete me fuqi motorike të lartë, në një kohë që motor të tillë, jo vetëm që ndotin më shumë ambientin, por edhe konsumojnë më shumë karburant, raporton Vizion+.

“Nga konsumi mesatar 7 litra, kushtet e kërkuara janë rritur në 9 litra. Kjo është absurde ta kërkosh sot në 2018 kur në fuqi është normativa e ndotjes Euro dhe të gjithë motorët e makinave evropiane kanë një rënie të theksuar të konsumit të karburantit”

E gjithë kjo procedurë pritet të zhvillohet nga Ministria e Shëndetësisë, e cila në vend që të parandalojë rreziqet mbi shëndetin e popullatës, duket se bën të kundërtën.

Ishte një parametër vlerësues i ndotjes gram/km CO2. Në ftesën e dytë ky tregues është hequr fare. Të gjitha këto ndërhyrje duket qartë se është një dorë që do të favorizojë një operator të caktuar. Ne nuk jemi për përjashtime. Në tender duhet të marrin pjesë të gjithë. Por kur përjashtohen 90 % të operatorëve dhe duket që po behën ndërhyrje për të favorizuar një operator konkret atëherë këtu ka një problem dhe duhet të reagojmë” –vijon më tej Zeneli.

Operatorët ngrenë pikëpyetje se tenderi është i paracaktuar, çka ngjall dyshime për një procedurë fiktive. Ata thonë se nëse procedura do të shpallet zyrtarisht me kushtet e paraqitura, do t’i drejtohen gjykatës për shkelje të barazisë./syri.net

Login to post comments