Fation Fejzillari vijon të jetë i humbur që prej 8 ditësh, pasi u zhduk në rrethana të dyshimta në hyrje të qytetit të Laçit. Sipas policisë ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Mësohet se në vendin ku pretendon shoku i tij se janë ndaluar me makinë nuk ka pasur kamera sigurie të bizneseve dhe institucioneve, që t’i kenë fiksuar. Ndërkohë as kamera të tjera brenda qytetit të Laçit nuk kanë arritur të fiksojnë as një person me karakteristikat e Fation Fejzillarit.
Një ditë më parë, familjarët e 30-vjeçarit nga Peqini denoncuan zhdukjen e djalit të tyre, teksa shiste perde në qytetin e Laçit. Sipas tyre, ai ka patur me vete rreth 2.6 milionë lekë të vjetra dhe ata kanë dyshime se djalin mund t’ua kenë grabitur dhe më pas vrarë.
Fatime Fejzillari apeloi për ndihmë për të gjetur djalin. Aleksandër Fadili, shoku i Fatjonit, ishte personi i parë që ngriti alarmin e zhdukjes së 30-vjeçarit. Dy të rinjtë kanë qenë bashkë në Laç për të shitur perde dhe çarçafë. Ai thotë se gjysma e shumës së parave prej 2.6 milionë Lekë që kishte Fatjoni me vete, i përkisnin atij.
Sipas dëshmisë së shokut të tij, personi i fundit që ka kontaktuar me të zhdukurin, ai ka tentuar disa herë të kontaktojë me Fationin, por pavarësisht se zilja binte, askush nuk përgjigjej. Ai thotë se kërkoi për shokun gjatë gjithë natës dhe në mëngjes njoftoi policinë.