Llogaritet në rreth 95.5 miliardë lekë borxhi që bizneset i kanë tatimeve. Të dhënat e bëra publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i përkasin vitit 2017 dhe citohen nga Tv Ora News. Megjithëse në krahasim me vitin 2017 borxhi tatimor ka pësuar një rënie me 35 % ose me rreth 51.6 mld lekë, përsëri niveli i tij konsiderohet shqetësues.
Sipas raportit vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, borxhi me vjetërsi mbi 2 vjet ose që ndryshe mund të konsiderohet edhe si borxh i ri, zë pothuajse gjysmën e borxhit në total dhe kap vlerën 45.5 miliardë lekë.
Peshën kryesore të borxhit ndaj tatimeve e mban TVSH me 36% të totalit, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 28% , Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore me 12% dhe Tatimi mbi të ardhurat personale me 2%. Problem mbetet fakti që subjektet e kaluara me status pasiv zotërojnë më shumë se gjysmën e borxhit tatimor.
Niveli i borxhit tatimor tregon vështirësitë, me të cilat po hasen bizneset në vendin tone, duke mos pasur mundësi që të shlyejnë detyrimet ndaj administratës tatimore. Ndërkohë për të ulur nivelin e detyrimeve të prapambetura që biznesi i ka administratës tatimore, tashmë është hartuar një strategji, ku sipërmarrja mund të bëjë një kontratë-marrëveshjeje me tatimet, për të paguar me këste.
Kjo synon të arrijë lehtësimin e bizneseve, si dhe do të përmirësojë dhe të ardhurat nga tatimet në buxhetin e shtetit. Në uljen e borxhit tatimor ka ndikuar gjithashtu, edhe zbatimi i ligjit i amnistisë fiskale, që fali rreth 54.3 miliardë lekë detyrime. Ekonomix.al
ECURIA E BORXHIT TATIMOR
(Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve)
2016 147 miliardë lekë
2017 95.5 miliardë lekë
BORXHI TATIMOR, SIPAS LLOJIT TË DETYRIMIT
(Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve)
TVSH 36%
Tatim Fitimi 28%
Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore 12%
Tatimi mbi të ardhurat personale 2%