Pavarësisht se Shqiptarët janë grupimi i dytë më i madh i emigrantëve në Itali pas rumunëve, kur bëhet fjalë për dërgesat e parave drejt Atdheut, shqiptarët nuk hyjnë as në listën e 10 kombësive të para në këtë drejtim.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Italisë të përpunuara nga “Fondacioni Leone Moressa” dhe e përditshmja “Ilsole24ore” tregojnë se, shqiptarët janë të 12-të në listë, në terma absolutë, me vetëm 128 milionë euro dërgesa gjatë 2017-ës në vendin e tyre të origjinës, pra në Shqipëri.
Në krahasim me vitin 2011 kemi të bëjmë me një rënie me 7.2%, gjë që është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e krizës që goditi të gjithë Europën e në veçanti Italinë. Të dhënat tregojnë kështu qartë se, kursimet e shqiptarëve tashmë nuk kanë më si destinacion Shqipërinë.
Ndërkohë që në fillimet e emigracionit, në vitet `90, paratë e fituara dërgoheshin në familje për të ndihmuar sadopak apo edhe për t`i investuar, kryesisht në sektorin imobiliar, me kalimin e viteve tashmë kjo tendencë është përmbysur tërësisht. Paratë e kursyera tashmë ngelen brenda Italisë.
Një ndër arsyet është numri i lartë i sipërmarrjeve të drejtuara nga shqiptarë, pasi në vendin fqinj numërohen zyrtarisht 41 mijë biznesmenë shqiptarë. Kjo do të thotë se, paratë riinvestohen në biznes, duke bërë që gradualisht të “harrohet” atdheu.
Paratë e shqiptarëve tashmë të integruar në Itali shkojnë edhe për arsimimin e fëmijëve, investime në pasuri të patundshme në Itali, etj. Integrimi i shqiptarëve në ekonominë italiane, tashmë që ka kaluar më shumë se një brez është arsyeja kryesore e kësaj renditje.